Alisa Velaj: Asnjë çikë të mos vdes

alisa velaj

Poezi nga Alisa Velaj

Më duhet të mos vdes
për ta krijuar nga e para ringjalljen tënde
Ishte vegim si gjithë të tjerët ajo zbehje dite
Unë pashë një ëndërr nga e cila
ti s’doje të ikje
Të mbarta në çdo përshkënditje mendimi
Hija e natës mbi mal vegoi fytyrën tënde
Dallgët shkëmbinjve sillnin zëra të mbytur
“Ja ku jam, ja ku jam, jaaaaaa”

Krahë deti kam tani
Patjetër më duhet të mos vdes
Në mitër të tokës ta shpërthej dhimbjen
Çohu, dil prej shtrëngatës dhe nise ravgimin
drejt një zemre që mbase i ngjan times.

Zgjohu pra! Kam krahë deti…
I mbledh erërat të tëra në gjoks të pikëllimës
Në ajër lë të shperndahet vetëm aromë e zambakëve
Pistilët janë vetmi e rrethuar me mure të bardhë
(Edhe të bruztë në qofshin muret,
pistilët prapë vetmi janë)

Kam krahë deti dhe dot më nuk tkurren
Rrëkëllej diell, re e këngë zogsh detarë
Vegimet si mbaj dot në grusht si erërat
Kurrsesi të shtegtoj larg guximit të lule kakutusit nuk mundem

Të mos vdes më duhet
Asnjë çikë të mos vdes
derisa të të shoh në burimet e jetës
sytë duke larë përmbys mbi brigje
me ujin e gjallë në grushtet e tua prej burri!

ObserverKult


Lexo edhe:

ALISA VELAJ: KUR TI DHEMB SHUMË MË SHUMË SE MUNGESA

Ekziston një oaz përtej të kuptuarit,
aty ku zogjtë askush nuk duket se i ushqen
zambakët kurrë nuk shihet kush i mbjell

Shirat bien nëpër netë të panjohura
e gjithë ç’duket është njomështi lumturie
në sytë e mi plot re të padukshme
në sytë e tu të thellë si dashuria
Është lot a ujvarë e vogël në retinë të dritës?

Poezinë e plotë mund ta gjeni KËTU