Alisa Velaj: Diell që po shuhet

alisa velaj

Pasdite e vonë me një diell të zbehtë.
Ai plak më i zbehtë se dielli murmurin një këngë në gjuhën e tij
dhe diç kërkon të më thotë duke më treguar orën
e sytë drejt lartësive.

Nuk kuptoj asgjë, por i buzëqesh duke parë dhe unë diellin.
Ai me sheh i mallëngjyer dhe largohet.
“Po të thotë se ende s’po muzgohet,
ndërsa ora shënon 21.00.
Po ti, ti si e kuptove?”, më pyet ti i habitur në një gjuhë të tretë.

“Ai pa nga qielli dhe unë i tregova diellin.
Asgjë tjetër përtej kësaj.
Asgjë tjetër nuk kuptova”.
“Gjithsesi ai u lumturua
Ai u lumturua që ti e kuptove.
Është i vetmuar, shumë i vetmuar
Jeton fillikat prej vitesh tek shtēpiza e drunjtë,
ku merret kthesa për të dalë nga deti”.

Dëgjoj kaq shumë histori të tilla këtu
Sa kam kohë që nuk pyes më pse.
Zogjtë çukisin mollë të rëna në udhë kalimtarësh.
Përkulem në gjunjë e shoh me ëndje fluturakun,
Ndërsa ai ngrihet vrikthi drejt pemës ndanë udhe.

“Vallë kaq pak kushtoka lumturia?”, pyes veten tek përtyp një mollë.
Kaq pak dhe u përpika vetmia e një burri,
Mjafton ti tregoke me dorë një diell që po shuhet?
Vazhdoj të përtypem dhe imagjinoj tërë mollët
e ngecura prej Adamit nëpër gurmaze burrash.
A thua bashkë me frytin të kenë gëlltitur dhe vetminë?

Në largësi plaku diç po u tregon disa fëmijëve.
Ata qeshin me zë të lartë.
Qesh dhe ai.