Ta dija se kjo vjeshtë do të ish kaq ndryshe
përplot sy shmangës si të isha harrim
Ta dija se ne ikanakët si gjethet
një ditë do të rendnim në të kundërt drejtim
Ti mahnitur prej gjithë trishtimeve të botës
Unë strukur në vete si trumcak i habitur
Ndërkohë shirat lagin qiparisat
dhe gjethet prej erës rendin çoroditur
Ta dija se kjo vjeshtë do të ish kaq ndryshe
me pemë e qiej nëpër ëndrra lartuar
tek shohim mohimin të na braktisë degët
dhe mallin mohojmë të na ketë pushtuar
Vërititur mes qiellit e tokës durimtare
secili në duar me nga një vetmi
ta dija, ah ta dija se me sy shmangës
ky mall i nëntortë do të më bëhej i ri
Si lindet deti në kraharor pulëbardhe?
Këng’ e pikëllimit në sqep të zogut si rri?
Me pëllëmbë do t’i mas ujërat, natën, brigjet
Udhë zogjsh vetmisë t’i mbjell mu në gji
ObserverKult