Alketa dhe velloja e grisur e shoqërisë sonë…

Iku me mik apo dha para; veshi apo nuk veshi katër fustane; flet shpejt apo apo nuk lexon aq shumë, janë kaq boshe kur sheh një shqiptare që shkëlqen aty ku shumëkush ëndërron të jetë edhe vetëm një spektator. Besomëni nëse ju them se komentet negative, veçse ju mbushin me vrer shpirtin. Ajo do të ecë përpara sepse këto nuk janë të parat komente që ka lexuar publikisht. Me siguri as të fundit.

Nga Luela Myftari

Një nga fjalitë më të bukura që dëgjova teksa shijoja Sanremo 2020, ishte një thirrje e bukur e një vajze jetime që ia kishte dalë të ishte e suksesshme, Rula Jebreal. “Mund të shkruani dhe të flisni për fustanet e një eventi, por mos e pyesni çfarë kishte veshur kur shoqëria e dhunonte”.

Besomëni që nuk është e thjeshtë të bllokosh emocionet dhe ngërçin. Nuk ka rëndësi nëse ke 1 vit punë në media, 10 vite punë, 20 apo 30. Sado i madh të jetë mundi, sado e vështirë të ketë qenë rruga, sado pengesa të kesh kaluar, sado herë t’ia kesh dalë, sido të jenë familjarët e tu, fustanet apo ëndrrat e tua; mjafton të të thotë një njeri i zemrës që do të të ndjekë kur të dalësh në skenë, mjafton vetëm të dish se një njeri që ti e respekton do të të shohë, mjafton një fjalë për të shuar çdo sekondë përpjekjeje. Besomëni që ka emocion në çdo dalje publike, ka ndjesi që nuk i shtypin dot vitet apo fustanet e bukura, qoftë kjo dalja e parë për një gazetare në Shijak TV apo dalja e 100 përpara dritës së kuqe të kameras në prime time të kanalit më të ndjekur në vendin tënd.

Ndaj përpara se të hidhni poshtë gjithë mundin dhe përpjekjen që nuk e mund dot emocioni kur mendon se babai po të ndjek me shpresën që ti do të shkëlqesh, mendoni për veten. Do ta bënit dot këtë rrugë? Do ta nisnit këtë rrugëtim nëse do ta dinit se një anonim me pushtetin e fjalës në facebook a instagram do të të gjykonte për fustanin, për veprimet e vëllait, për faktin se flet ngadalë, për faktin se nuk po thua atë që dua unë?

Koha e gjithë botës nuk do të mjaftonte që unë të them atë që do ti, njeriu i komenteve negative. Koha e gjithë botës nuk do mjaftonte të shpjegoja se si ndihet një njeri që del përpara kameras për të thënë atë që pret publiku dhe mendimet e pafunda se si do të pritet. Koha e gjithë botës nuk do mjaftonte të rrëfeje ndjesitë e Ermal Metës, Elhaida Danit, Alketa Vejsiut, Ilir Shaqirit, gjithë balerinëve shqiptarë aty, në televizionet italiane, të gjithë aty të rinjve prindërit e të cilëve kanë menduar sa e sa herë të hipin në gomonen e radhës për një të ardhme më të mirë.

E vërteta është që ajo nuk kishte nevojë për promter, as për letrën pa të cilën shumë vajza shqiptare sado të bukura të jenë nuk ia dalin ta lexojnë, sepse atë ia kanë shkruar të tjerë, e vërteta është që një shqiptare tjetër shkoi deri aty, ku shumë shqiptarë të tjerë ëndërrojnë edhe vetëm të kalojnë, qoftë edhe në errësirë. Është e vështirë të ndjekësh ëndrrat aq sa e thjeshtë të ulesh e të lexosh komentet negative. Unë një ditë kam qarë sepse dikush më shkruante pse bashkëjetoja kur ende nuk isha martuar zyrtarisht, një ditë tjetër sepse shkrova për virgjërinë, ndërsa mesazhi i fundit pse nuk pyeta Matilda Makoçin për Edi Ramën. Të gjithave u përpoqa ti thoja se jam njeri, se e dua atë që bëj, se mendohem përpara se ta gric shpirtin e një njeriu që do ta lexojë pyetjen apo përgjigjen time. Të tjera vajza para meje janë burgosur sepse babai i tyre arratisej në një kohë kur kërkohej liria, ndërsa të tjera me siguri qajnë sot se ju i bëni fajtore për veprimet e vëllezërve, për fustanin, për këngën, për atë çka dëshiron shoqëria që ajo të thotë apo përse realisht nuk tha atë që donit ju.

Do të doja shumë të rrëfenit në 5 minuta historinë e shqiptarëve në një monolog, që shpesh ne nuk kemi kohë ta bëjmë as për veten tonë, e pastaj të gjykojmë monologun e të tjerëve. Ndaj para se të shkruani një koment për një vajzë që ia dedikon jetën e saj televizionit, mendoni vetëm 5 minuta përpara se ta shkruani këtë koment. Në 4 minuta bëni vetëm monologun e jetës suaj dhe një minutë mendoni për të komentuar tjetrën. Besoj do të jemi më të mirë. Do të kuptojmë se edhe ne mund të ëndërrojmë, edhe ne mund të punojmë që vitin tjetër të paktën të kemi mundësi të shkojmë e ta ndjekim qoftë edhe vetëm si spektatorë natën e tretë të një festivali që nuk e hap derën për të gjithë.

Ka edhe më bukur, por e vërteta ime është që ajo ishte veshur bukur, ndërsa nga këtu, nga velloja e grisur e disave nuk arrin të dallosh shumëçka./ ObserverKult