
Nga Çapajev Gjokutaj
Mbrëmë, ashtu i lodhur siç isha, u ula në kolltuk dhe vura të dëgjoj një video ku binte shi i rrëmbyeshëm dhe fishkëllente një erë e fortë dhe, me gjasë, edhe e acartë. Pas pak çastesh u ndjeva i përfshirë në atë atmosferë që po më shpinte fluturimthi në vitet e fëmijërisë. Kalova më shumë se gjysmë ore mes kënaqësisë së ikjes nga vetja, pa menduar për asgjë.
Kur hapa sytë, truri i çlodhur e i kthjelluar ia nisi punës: realiteti që përcillte videoja me fishkëllima ere dhe zhurmë shiu, përçonte të ftohtin që të nxin buzën e t’i bën dru duar e këmbë. Përkundër gjithë këtyre e kisha përjetuar suferinën ulur në kolltuk pa më shkuar mendja te të ftohtit dhe vuajtjet.
Ç’mekanizma veprojnë vallë për të sendërtuar këtë magji? Të nanurisur në gjirin nostalgjisë kujtojmë gjëra reale apo trillojmë realitete që vështirë se i kemi përjetuar dikur?
Ka të ngjarë që e gjithë kjo dukuri është një lojë e dyfishtë: edhe realitet, edhe trillim, një mashtrim i ëmbël dhe një rit i domosdoshëm. Të gjitha këto përzierje shërbejnë për të na krijuar iluzionin se e shkuara ka qenë më e plotë, më e bukur, por njëkohësisht na ndihmojnë të ruajmë identitetin, vazhdimësinë e vetes, të mos ndihemi të shkëputur nga rrënjët.
Nëse e shohim si vetëmashtrim, nostalgjia është një mënyrë për të zbutur dhimbjen e kohës që rrjedh, ikën. Nëse e shohim si rit, ajo është një mënyrë për të ndërtuar identitetin tonë, për të mbajtur gjallë një vijë që lidh të shkuarën me të tashmen.
Ka të ngjarë që kjo e afron nostalgjinë me artin: edhe trillim edhe e vërtetë; edhe përvojë edhe ilaç… Thënë me njëçikë cinizëm: një patericë më shumë për të mos u hequr zvarrë ndërkohë që ngjisim rrëpirat e ekzistencës.
ObserverKult
Lexo edhe:






