Të jesh e të mos ndjesh!
Të ndjesh.
Por të mos jesh atje ku ndjen.
Të jesh e gjithë botës të kërkosh,
një ndjenjë!
Një fjalë të pathënë të dëgjosh.
Të jesh e të mos jesh.
Të ndjesh e të mos kesh
një ndjenjë për të rritur.
Të shohësh bukë plot,
e shpirtin e uritur
të mos e ushqesh dot.
Ç’më the?
Më the që fjala “bukë” është e thjeshtë fare?
Më the që fjala “bukë” nuk ka brishtësi?
Në kohë si të sotmet nuk kemi njerëzi.
Të jesh, ditët e sotme, për fat të mirë, njeri
të ndihesh do të thotë.
E kam ndjerë shpesh unë.
I gjallë je dhe ti.
Por ti me barkun plot.
Të ndjesh e të mos jesh!
Apo të ndjesh që ke
një jetë plot uri.
Të ndjesh, por të mos jesh.
E të mos kesh një shpirt,
të japë dashuri.
Ç’më the?
Që vargje shkruaj, thjesht për të dhënë rimë?
E ndjen ti dot mëngjesit të tretë, në dell urinë?
Besoj se nuk e ndjen.
As unë të them të drejtën.
Të jesh për mua është, të shohësh të vërtetën!
Të prekësh llumin, por thjesht të mos e prekësh.
Të zhytesh thellë në të!
“T’i lutem Zotit sot,
që të më japë zë,
t’i lutem edhe nesër.”
Nga jeta thjesht të presësh,
të ndjesh dhimbjen e jetës.
E rrugës për në dhimbje,
të lutesh e të presësh.
Kjo do të thotë të jesh!