Alma Lamçja: Malli mban gjallë dashurinë

Nga Alma Lamçja

Mungesa është heshtja që flet, është zbrazëtia që jehon me hapat e pranisë që nuk është më afër.

Kur humbasim dikë, qoftë për shkak të distancës, largimit apo vdekjes, bëhemi endacakë në peizazhin e mallit. Megjithatë, ky mall nuk është thjesht plagë e pashëruar e shpirtit tonë, është edhe ushqim.

Pak paradoksale që dhimbja të kthehet në ushqim që ushqen shpirtin në mënyra të papritura.

Milan Kundera dikur shkroi: “Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës”.

Mungesa e një njeriu të dashur e vë në provë këtë luftë. Ne i rezistojmë harresës, duke ndërtuar monumente kujtimi në mendjet tona. Kujtimi bëhet i shenjtë, një sixhade e thurur me fijet e arta të momenteve të përbashkëta, fjalë të pëshpëritura në besim, të qeshura që dikur mbushnin hapësirat që tani i kalojmë në heshtje. Por në atë rezistencë, ne gjithashtu transformohemi. Mungesa na detyron përbrenda, në dhomat e qenies sonë ku takojmë veten tonë më të vërtetë, të formuar nga gjurmët e atyre që kemi humbur.

Shpeshherë kujtoj momentet e fëmijërisë sime të hershme, kur im atë kthehej nga puna, nxirrte krehrin e vogël që e mbante në xhepin e brendshëm të xhaketës e më krihte butësisht flokët. Për dreq, ka ditë që rubineti i çezmës në kuzhinë pikon ngadalë, duke më sjellë ndërmend pandërprerë pikat e serumit në damarët e nënës sime.

Është prill. Ata të dy u larguan në prill.

Filozofja Simone Weil e pa pikëllimin si një mjet për t’iu afruar hyjnores. Ajo besonte se dashuria e vërtetë dhe humbja e vërtetë janë të ndërthurura. Ajo mendonte se të vuash mungesën, është të prekesh nga diçka hyjnore.

Në dëshirën tonë për të pasur pranë dikë që kemi dashur fort, ekziston pastrimi i emocioneve, distilimi i asaj që vërtet kishte rëndësi në lidhjen tonë me personin tjetër.

Edhe në vetminë tonë më të thellë ne kuptojmë se dashuria gdhend hapësirën e saj brenda nesh, duke mos e zhdukur kurrë këtë dashuri, por duke i ndryshuar vetëm formën.

Poeti Rainer Maria Rilke kërkonte të përqafonim fuqinë transformuese të dëshirës: “Lëreni gjithçka t’ju ndodhë: bukuria dhe tmerri. Vetëm vazhdoni. Asnjë ndjenjë nuk është përfundimtare.”

Malli, kur përqafohet në vend që të rezistohet, pushon së qeni thjesht vuajtje, bëhet një proces alkimik. Dhimbja e mungesës na rafinon, duke mprehur perceptimin tonë, duke thelluar rezervuarët tanë emocionalë.

Ne mësojmë ta vlerësojmë më egërsisht praninë, të jetojmë me vetëdije më të madhe, ta shohim dashurinë jo si zotërim, por si një energji që vazhdon, edhe kur burimi i saj ndërpritet fizikisht.

Pema e zhveshur nga gjethet në dimër, na bën të mendojmë që është shkretuar duke ekspozuar humbjen, ndërkohë brenda saj, nën lëvoren e padukshme rrënjët vazhdojnë qetësisht punën e tyre.

Ky është ushqimi i padukshëm i shpirtit – malli shndërrohet në urtësi, mungesa në vlerësim më të thellë për praninë.

Shndërrimi i humbjes në ushqim është akt krijimi.

Ne e marrim mallin dhe e trajtojmë në letërsi, në muzikë, apo në lutje pëshpëritëse në qiellin e natës. Kujtimet tona i bëjmë vakte, të cilat ia shërbejmë vetes në momente vetmie, ku mungesa nuk na pakëson por na ushqen, duke na bërë më njerëzorë, më të gjerë, më të gjallë ndaj dhimbjes së shenjtë të dashurisë që zgjat përtej pranisë.

P.s. Në kujtim të dy prindërve të mi të dashur, që vazhdojnë të më mësojnë edhe përmes mungesës.

ObserverKult


Lexo edhe:

“KUR NE PRINDËRIT MBESIM JETIMË” NGA GABRIEL GARCÍA MÁRQUEZ