Shkrim prekës i Çun Lajçit: U bana dhé e zbrita n’gropë, t’ia mbulojë eshtnat bijës sime…

Nga: Çun Lajçi

Fillimisht u ndala të varret. U mbështeta n’shtegun e hapun e mora frymë thellë, se gjoksi po me ngushtohej.
Ndoshta prej mallit!
Ndoshta i kishte fajet zemra e vjetrueme!
Ndoshta mushknitë s’ngiheshin frymë.

Ndoshta pemët e ngjyrosuna me t’kuqe, me t’verdha, me t’lulësa po m’kthejshin n’rininë e harrueme!
Ndoshta rrezet e diellit që puthëshin me ballin tim e nji erë e ftoftë që luente me gjethet tue i hudhë kudo.
Ndoshta!

I shkundëte era dardhat e shapueme e mollat e egra. Shtrat i verdhë dukej bari rreth trungut.
Shikimi m’shkoi përtej Liqenit t’Kuçishtës. U katrris rudinave! U ndal të kreshtat e thepisuna.

S’kishte ku t’shkonte ma përtej, se qielli puthej me tokën. Ma tutje kishte veç Shqipni, e Guci në të djathtë. Unë s’dojsha me shkua ma larg se të bora e parë, që rrinte si plis mbi Podin e Gurit të Kuq.

Largë u ngjita shikimit e mallit tim, deri sa zemra e ngadalsoi rrahjen.
N’katundin tim asht ajri i pastër por oksigjeni i rrallë e mushknitë vuejnë dy-tri ditët e para. Duhesh me pasë durim!

Po flisja t’madhe e po ecja ngadalë, si prift, tue i prekë gurët e varreve. T’shumtit i kam njoftë prandaj t’gjithëve ua thirra emnat.
Këtu m’keni u thashë, jam fara e juve, e nuk dua t’ma bajë era dikund tjetër! Nji vend ia bana vajzës e nji vend e dua edhe unë për nesër se pemët po zhveshën e toka po mbushet gjethe të zverdhuna!

Fola tue zbritë shikimin nga Bjeshkët e Nemuna mbi varre!
U ula mbi mermerin e ftoftë. U bana dhé e zbrita n’gropë, t’ia mbuloi eshtnat bijës sime.
Ngrohu ti shpirt i tretun i fola, se nuk t’len vetëm yt at.

Kur hija e bjeshkëve i mbuloi fotografitë n’gurë, unë eca rrugicave t’barueme drejt tbanit tim që i rri katundit si vetull. Por s’mujta pa i mbledhë do dardha s’kaj varrezave. E kisha ndjenjen se po e marr shpirtin e vajzës sime e po e kthej n’Prishtinë.

Kur e hapa derën e t’banit, seç fluturoi nji fluturë që kishte mbetë e ngujueme e shkoi drejt varrezave!
Unë u ula n’pragun e derës e fola: Ti paske qenë këtu moj e mira ime!

“Titulli i origjinalit: “Flutura e ngujueme”

Çun Lajçi

———————

Lexo edhe:

FREDERIK RRESHPJA, POETI QË DASHURIA FATKEQE E GODITI NË ZEMËR DUKE I THYER SHPIRTIN…

ObserverKult