Alma N. Liço: Vallë, do bëhemi ndonjë ditë vend normal?

Alma N. Liço

Nga Alma N. Liço

Mundësi të barabarta? – Ëndërr në sirtar!

“Jetën, fatin tonë e ndërtojmë apo shkatërrojmë vetë, me veprimet ose mosveprimet tona. Ajo çka jemi apo dëshirojmë të bëhemi varet nga dëshira, këmbëngulja dhe puna jonë për të përmbushur atë që duam të arrijmë në jetë.

Realizimi i ëndrrave është në vullnetin dhe në dorën tonë”.

I kam lexuar apo dëgjuar në të gjitha mënyrat thëniet e mësipërme nga specialistë të fushës së psikologjisë, sociologjisë, apo edhe nga qytetarë të thjeshtë që e mbështesin këtë perceptim mbi përvojat personale apo ato të personave të tjerë pranë tyre.

Por a është gjithnjë e vërtetë dhe koherente një bindje e tillë?

Mendoj se JO!

Mbase ndodh kësisoj në një vend normal, ku qytetarëve u ofrohen shanse të barabarta konkurimi dhe realizimi në fushat e interesuara. Dhe ku është e paimagjinueshme që tërë energjinë t’ua rrëmbejë lufta për mbijetesë!

Si mund të zhvillojë ëndrrat dhe aftësitë një individ në të kundërt… kur jeton mes shantazhit dhe kërcënimeve për bindje që nuk u shkojnë për shtat sundimtarëve; kur i heqin të drejtën për t’u arsimuar; kur e detyrojnë të kryejë punë skllavëruese që i rrëmben tërë kohën; kur i mohojnë të drejtën e shprehjes së mendimit të lirë?…
Një individ i tillë është i dënuar të asfiksohet apo atrofizohet shpirtërisht dhe psiqikisht!

Për të vërtetuar efektet e sipërmendura, mund të sillja pa fund shembuj. Janë mijëra talente të gjymtuara e të vrara nëpër galeritë e burgjeve apo kampeve të internimit. Mijëra të tjerëve iu ndalua e drejta e studimit apo krijimit. Të mbijetuarit e zvarritën, e ngrysën jetën mes vuajtjeve dhe pamundësisë për të ndjekur ëndrrat e tyre. Madje pothuajse i harruan ato.

Për konfirmim të këtyre fakteve mizore, sjell në vëmendje atë që ndodhi me tim atë. Në fëmijërinë e hershme, mbrëmjeve nuk flija pa dëgjuar më parë përrallat e mrekullueshme që ai arrinte të improvizonte. Ndonëse më pas lexova shumë letërsi për fëmijë, me përralla nga më të famshmet, ato nuk patën aspak të krahasuar me ato që më tregonte aq bukur dhe me emocion im atë.

Shumë shpejt erdhi internimi familjar dhe tim eti iu venit shtysa dhe fantazia për të krijuar dhe treguar përralla.

Kthehej i kapitur nga puna robëruese, dhe nuk i mbetej energji as për të folur.
Me zemër copë, shpreh bindjen e palëkundur se me dënimin e padrejtë që pësoi im atë, letërsia për fëmijë ka humbur një krijues të madh. Ato krijime/improvizime të mahnitshme, me vlera humane dhe edukative, janë strukur dhe kanë mbetur të mjegulluara në mendjen dhe zemrën time, pa mundur t´i riprodhoj dot ato.

Në forma më të kamufluara, situatë e ngjashme paraqitet edhe sot. Të “suksesshëm” dhe me mundësi të panumërta arsimimi dhe më pas punësimi janë bijtë e të fortëve, bijtë e atyre që kanë para të cilat më së shumti nuk i justifikojnë dot. Ata mund të blejnë gjithçka. Si modele “suksesi” ofrohen gjithashtu të obsesionuarat e imazhit të silikoneve dhe jetës së pamoralshme e boshe. Antivlerat pushtojnë në shumicë hapësirat mediatike.

Mundësitë e barabarta për të shpalosur aftësitë mbeten ëndërr në sirtar. Talentet e vërteta në pamundësi për të ndjekur ëndrrat dhe shpalosur vlerat e tyre, dita ditës po ja mbathin larg Shqipërisë!

Vallë, do bëhemi ndonjë ditë vend normal?

ObserverKult

———————————————————————————–

Alma N. Liço

Lexo edhe:

ALMA N. LIÇO: LËMOSHË! SA E VLEFSHME, PO AQ EDHE FYESE…

Nga Alma N. Liço

Sa e vlefshme, po aq edhe fyese. Ndonëse ofrohet si ndihmë, ajo përplas në fytyrën dhe vetëdijen e nevojtarit pamundësinë, paaftësinë, varësinë, nënshtrimin ndaj atij që e ofron atë.
Lëmoshat në kohën që jetojmë, jepen në mënyrën më të padenjë të mundshme.

Duke e bërë atë publike, duke regjistruar pamje familjesh të mjera, duar të zgjatura dhe lot fëmijësh që jetojnë ekstremitet e nevojave të tyre, veçse i denigrojmë ata të mjerë.

Kjo duke i njollosur për ngaherë me kompleksin e inferioritetit, i cili përpos një mirënjohjeje të lodhur, më pas gjeneron pakënaqësi, pse jo edhe revolte.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult