Amarildo Pregapuca: Pra, tango fillo…

Nuk dua miq në këtë natë,
as miq të rinj dhe as miq të vjetër.
Sonte s’të dua as ty o gotë,
në një tjetër botë të humbas dua.

Dua – djallin ta sfidoj
si një burrë, një ushtar a mëkatar
dhe edhe veten si di unë ta godas
aty ku dhemb me shumë,
këtë dua.

Pra tango fillo…
M’i ndiz dëshirat, epshet, pasionet
Dhe ti e panjohur ashtu më vështro,
Më prek, më tundo, më çmend,
dhe hesht e vallëzo!

Se dua emrin tënd
as nga vjen a ku shkon,
ç’të pëlqen, ç’urren a çfarë jo.
Veç hapat e tua dua
nën të pamëshirshmen muzikë
dhe ritmin…ritmin mos harro!

Nën aromën tënde të dehem,
të magjepsem me trupin tënd,
sinkronizimi të luaj me ndjenjën,
adrenalina të pushtoj çdo vend,
pastaj- le te heshtin tingujt
dhe prekjet le të ndalojnë.

Ti rrugën merr për diku,
diku tjetër dhe unë do shkoj
dhe një pyetje le te ngelet në ditët që vijnë,
një pyetje pa përgjigje, pa shpjegim,
Në ishte mëkat e ndara ashtu,
Apo mëkati ish ai vallëzim?!