Amarildo Pregapuca: Të huaj…

amarildo pregapuca

Qytet i huaj,
Më kot përpiqem të gjej diçka nga vetja te ti.
Asgjë…
Përveç një ftohtësie të pranueshme
Për dy të huaj që nuk bashkohen dot askund, asnjëherë,
Në asnjë jetë.
Ose ndoshta takohen,
Por si dy njerëz,
Që i kanë dhënë njëri-tjetrit distancën e nevojshme,
Për të mos ndjerë kurrë mall.
Një lloj dashurie konceptuale kjo
Mes qenieve racionale
Për të lënë të paktën respektin.