Ambra Hysa: Sa vlen një përqafim? Asnjëherë më shumë se sot


Nga: Ambra Hysa

Bota ka nevojë të pushojë, e ndjej në thellësinë e shpirtit nevojën e saj për të ndalur ritmin dhe për të na dhënë leksionet më të çmuara. Vetëm nëse heshtim mund të hapim zemrën dhe të dëgjojmë puhizën e lehtë që na flet.
Vite më parë, me fillimin e pandemisë, jemi përballur me një këndvështrim të ri, me një mënyrë të re jetese dhe ishim aq të vegjël përballë gjithë asaj situate. Viti 2020 na mësoj të dashurojmë ndryshe, por më fort, na mësoj të vallëzojmë ndryshe por më bukur, të këndojmë në ballkonet tona të vogla, por më pranë njëri-tjetrit, me zemër.

Mësuam t’i gëzohemi ekzistencës në thjeshtësinë e saj, duke kujtuar se aty qëndron e bukura e jetës. Njeriu është qenie e lindur për t’u përshtatur dhe jam e sigurt që ne dimë të shohim, të zbulojmë e të krijojmë shpresën në çdo dhembje dhe diellin në çdo ditë me shi. Jeta është një dhuratë jo një premtim. Dashuria dhe kujdesi njerëzor shërojnë botën.

Por sa i mrekullueshëm është kontakti njerëzor? Mundësia për të dhuruar dhe për të marrë dashuri është nevojë e thellë ekzistenciale. Nëse kalojnë ditë pa u përqafuar me njerëzit e mij të zemrës, nis dhe me dhemb krahërori. Të gjitha dhimbjet shpirtërore kthehen shpejt në fizikë, por vetëm atëherë kur trupi na jep sinjale ne vrapojmë për tek doktori.

Po dhimbjet e shpirtit, kush na i shëron? Ne mund të vrapojmë pafundësisht pas materies, mund të qëndrojmë edhe të izoluar për disa kohë… por në fund… do të na duhen NJERËZIT, historite e tyre te vogla por të mrekullueshme, plagët e tyre që mund të shërohen veç me dashuri njerëzore. Njeriu ka nevojë të thellë për njeriun, njeriu pa njeriun është veçse nje humnerë e thellë dhe e zbrazët. Nuk mund të presësh hapin final drejt suksesit për t’u takuar me lumturinë, për të “merituar” më në fund të jesh i lumtur. Lumturia nuk serviret si një kupë apo medalje e artë. Lumturia nuk “meritohet”, ajo thjesht vjen kur krijohet.

Më ndodh shpesh ta takoj lumturinë në situatat më të papritura. Ndoshta jam ulur në kolltukun e rehatshëm të shtëpisë dhe po shoh një film të bukur shoqëruar me pop-corns, lumturia vjen, ulet pranë meje dhe më bën shoqëri. Mund të jem duke vrapuar, duke pirë një kafe me motrën time binjake, mund të lagem në shi gjatë rrugës për në shtëpi duke kënduar nën zë dhe ajo më del përpara sërisht.

Lumturinë e takoj mbrëmjeve vonë kur bëj xhiro me makinë duke kënduar këngët e mia të preferuara, kur blej një kapele të re, kur punët shkojnë mirë, kur shkruaj dhe darkoj me familjen time.
Lumturinë e gjej shpesh në rutinë dhe jashtë saj.
Kjo zonjushë është kapriçoze, ajo vjen pikërisht kur nuk e fton, ndërsa kur ke nevojë më shumë se kurrë për të, zhduket…dhe ti duhet ta ndërtosh nga fillimi…

ObserverKult

—————

LEXO EDHE:

ITALIA ËSHTË POEZI, ËSHTË FLLAD I FRESKËT NOSTALGJIE, ËSHTË ZJARR BUBULAK…