ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar nga Shtëpia Botuese “Syth”.
______
Flasim përhanshëm me shkrimtaren Ana Kove.
Nga: Xhemazije Rizvani
Emri: I shkurtër shumë, për t‘u mbajtur mend gjatë
Ditëlindja: në më të harlisurën ditë prilli
Vendlindja: ujërave te liqenit të dritës
Vendbanimi: zemrash që rrahin edhe për mua
Gjuha që flet: e syve
Gjendja familjare: pakt me një djall, që njihet engjëll
Trashëgimia: dy yje që përshkojnë galaktika për të mu larguar/ dhe po aq për të më ndriçuar
Amanete: Si Rozafa, pas të 100-ve, me m’i lënë jashtë ca pasuri të tundshme
Ana Kove kush je dhe kush nuk je ti?
Jam nëna e dy fëmijëve artistë. Emri i të cilëve do të tejkalojë pa dyshim timin dikur. Jam vajza e një babai poradecari, thellësisht lirik në shpirt dhe e një nëne nga jugu, thellësisht epike. Jam fryma në shqip e personazheve që kam ngjizur nga vetja apo edhe nga përkthimet e mia.
Nuk jam Anrila… (Emri zyrtar i gjendjes civile, regjistruar si detyrim përkunder emrit tim të pagëzimit, të cilin në atë kohë nuk pranuan të ma regjistronin, por që është tesha ime mbështjellëse më identifikuese)
Ç’ka fëmijërore në ty?
Pllaquritjet në ujë. Çfarëdoqofshin: dete, liqene, lumenj. Aty është fëmija me shpirtin si uji, pa peshë mendimesh turbulluese, pa ndytësinë e tokës ku i shkel këmba. Pa trazimet e njeriut të rritur. Një qenie që nuk arrij ta shpjegoj dot. Por krejtësisht fëmijë.
Cilët fjalë, nga cilët njerëz i qetësojnë demonët e tu?
Janë fjalë nga libri i librave. Lutjet që bëj me shpirt e për shpirt…
Rruga për te zemra jote nga kalon?
Më lejo t’i përgjigjem me një fragment të shkurtër nga libri im “Kambanat e së dielës” :
“Unë isha qenie dyshuese, sa i takonte dashurisë në shikim të parë, por jo sa i takonte magnetizmit etik të herës së parë, apo atij drithërimi kënaqësie estetike, po të herës së parë, që më përcillej si imazh ndjellës. Më godisnin në zemër dhe më bënin të gëzoja fort magjia e fjalëve, lojërat e emocioneve; gëzimi i pranisë, kur fjala bëhej mish. Kjo më çmendte e gëzonte, thua se ngjizej në ndonjë altar diku të padukshëm, që vetëm me shpirt mund ta përjetoja. Si vinin ashtu këto ndjesi të thella deri në thelb të zemrës, sa të magjepseshe nga forca e elektricitetit që e depërtonte rrezatimet e syve dhe i bënte ata të shndritshëm dhe njëkohësisht të verbër. Krejtësisht të verbër.”
Ç’mendoni për demokracinë?
E mendoj siç e ka menduar edhe dikush tjetër, sistemin ku dy budallenj vlejnë më shumë se një i mençur.
Ç’meriton ky popull?
Të jetë i barabartë në liri lëvizjeje dhe mendimi si popujt e tjerë të Europës. Në trajtim dinjitar. Pse jo, edhe në mirëqënie…
A ndihet me fat një poet në Shqipëri?
Një poet ndihet sa me fat, aq edhe pa fat nga ndjeshmëria që i ka falur Zoti, pavarësisht se ku jeton.
Përse trishtohet më shpesh një grua?
Po ashtu pse trishtohet edhe një mashkull. Ndjesia e zhgënjimit, besoj i trishton njësoj njerëzit.
Ku duhet të ndryshojmë urgjentisht?
Në raportin me folklorizmin dhe patetizmin. Në ekuilibrat e vetëvlerësimit… Kjo na kthen në qesharakë në sytë e botës që ndryshimin e mbështet te përparimi. Nuk po arrijmë të reflektojmë ende. Çudi!
Përse e ka të madhe vetminë Tirana?
Sepse po aq të madh e ka falcitetin në socializim. Sepse i mungojnë mushkritë që t’i japin oksigjen të mjaftueshëm vetmisë ekzistenciale…
Për çfarë ëndërroni më shumë?
Për të bërë me kohën çfarë dua vetë…
Nëse nuk do të shkruante, kush do të ishe Anna Kove?
Do peshkonte në liqen… Aty përballë shtëpisë së lindjes. Sado qesharake të duket…
A denoncon poezia ?
Denoncon? Besoj po. Unë nuk i takoj shkollës së poetëve të angazhuar. Poezia e tyre denoncon. Për mua ajo lloj poezie, natyrisht art i fjalës, më shumë është prozë poetike e strukturuar në vargje.
Më pëlqen lirika, lirika e dashurisë, ajo e fjalës së bukur të shpirtit dhe ndjesive të epërme. Dhe do të isha skeptike në përdorimin e fjalës “denoncon” në rastin e lirikës së dashurisë, të natyrës etj.
A jeni e kënaqur nga rruga e jetës? A keni mbërritur ku keni dashur?
“E kënaqur” është një fjalë që nuk më rri aq mirë. Nuk kënaqem kurrë kollaj. Por as e dëshpëruar nuk jam nga kjo rrugë. Në thelb jam njeri i hareshëm. Nuk lejoj të ma prishin harenë e brendshme dështimet. Dhe energjia e kësaj hareje më çon atje ku dua. Thuajse gjithmonë. Pastaj i shtyj vetë kufijtë e mbërritjes më përtej dhe rruga vazhdon nga e para…
Përse do t’ju mbajë mend lexuesi?
Ky i sotmi nuk do të më mbajë mend. Por ai i nesërmi, kur ballafaqimin të mos e ketë me mua, por vetëm me shkrimet e mia, do të më mbajë mend për leksikun e pakufizuar në gjeografinë vetëm të një dialekti dhe për adhurimin që kam për veshjen e fjalës, kur trupat janë të zhveshur…
Ç’është poezia për ju?
Është kënaqësi estetike. S’ka asgjë më të bukur se një libër me poezi të shkruara nga frymëzimi hyjnor. Nga ai i linduri thellësisht nga dashuria apo dhimbja e epërme.
Për çfarë pendoheni në jetë?
Për gabimet që nuk i kam bërë ende…
Kush e mban harenë tuaj gjallë?
S’di pse mendoj shpesh që e kam të trashëguar nga linja e gjakut. AND-ja, në këtë kuptim.
Për çfarë jeni vonë?
Për një pasaportë gjermane. Meqënëse jeta ime profesionale dhe formimi është i lidhur pashmangshëm me kulturën dhe gjuhën e atij vendi.
Për çfarë është akoma herët?
Po për një pasaportë gjermane. Pasi ajo kulturë dhe ai vend vazhdon të mbështesë në të gjitha mënyrat (edhe financiare) procesin e të nxënit tek unë. Një proces që nuk ka fund… Po ashtu si shërbimi im ndaj asaj gjuhe dhe kulture.
ObserverKult
Lexo edhe: