Nga Valter Shtylla
Historia e Shqipërisë është e mbushur me ngjarje të ndryshme dhe shpeshherë mbresëlënëse. Në shumë prej tyre kanë qenë të pranishme personazhe që tashmë njihen jo vetëm nga historia e Shqipërisë por edhe nga historitë e vendeve të tjera.
Një nga këto figura është edhe Angjelina, bija e feudalit të njohur të shek.XV-të Gjergj Arianiti.
Emri i gjatë i këtij të fundit ishte Gjergj Arianit Komnen Topia. Ai kishte dy vëllezër: Muzakë Komnenin dhe Vladanin. Ky i fundit ishte martuar me motrën e Skënderbeut, Angjelinën me të cilën pati një djalë—Muzakun e Angjelinës. Gjergj Arianiti ka jetuar me familjen e tij në Durrës dhe ka vdekur në fillim të vitit 1461. Ky feudal shqiptar ishte ndër të parët prijës vendas që ngriti krye në fillim të shekullit XV kundër pushtimit turk.
Në bashkëpunim me feudalë të tjerë vendas, Gjergj Arianiti arriti t’u bënte ballë turqve në verën e vitit 1432. Në dimrin midis viteve 1432-1433 Gjergj Arianiti theu përsëri trupat turke në luginën e lumit Shkumbin. Turqit, të komanduar nga Ali Bej Evrenozi, qenë dërguar nga vetë Sulltan Murati II.
Fitorja e Shkumbinit u konsiderua në Evropë si një fitore e madhe e Arianit Komnenit (Gjergjit). Në vitin 1443 ky prijës shqiptar korri një tjetër fitore në grykat e Labërisë. Pas kësaj fitoreje vërshuan përgëzimet nga Evropa.
Papa Eugjen IV, mbreti Alfons V i Napolit, perandori gjerman Sigizmund dhe Republika e Raguzës, përveç urimeve, i premtuan Gjergj Arianitit ndihma.
Kjo eufori nuk vazhdoi shumë pasi në vitin 1435 forcat turke të drejtuara nga bejlerbeu Sinan Pasha shtypën revoltën shqiptare dhe e detyruan Gjergj Arianitin të tërhiqej në atë ç’ka kish mbetur nga zotërimet e tij.
Në këtë pikë ai u kthye përsëri në vasal të sulltanit. Gjergj Arianit Komnen Topia ka pasur shumë fëmijë. Me gruan e parë, Maria Muzakën, ka patur vetëm vajza ndërsa me të dytën, italianen Petrinela Frankone, vejushë me dy vajza, Gjergji pati dhe tre djem.
E në lidhje me zotërimet e Gjergj Arianitit ka versione të ndryshme. Në një burim të Muzakajve thuhej se Gjergj Arianit Komnen Topia ka qenë zot i Çermenikës, i Mokrës e i Shpatit deri në lumin Devoll, ku kjo pjesë ndahet nga zotërimet e Muzakajve. Nga martesa e parë e Gjergj Arianitit u lindën tetë vajza.
Vajza e madhe ishte Andronika ose Donika. Kjo vajzë, siç dihet, pati për burrë Gjergj Kastriot Skëndërbeun, zotin e Dibrës, Matit dhe Krujës deri në bregdet. Gjergj Kastriot Skëndërbeu dhe Donika lindën Gjonin.
Ky u emërua Dukë i Shën Pjetrit në Galatinë dhe u martua me Dukeshën Erin Paleologa (Elena) — bijën e zotit të Serbisë Lazar.
Gjoni pati shumë fëmijë të cilët nuk jetuan gjatë veç princ Ferrant Kastriotit –Duka i Shën Pjetrit në Napoli dhe princeshës Maria Kastrioti. Këta vdiqën respektivisht në vitet 1551 dhe 1540.
Ndërsa, vajza e dytë e Gjergj Arianit Komnenit, Vojsava u martua me zot Gjon Crnojevicin zot i Malit të Zi dhe i Zetës me të cili pati dy djem: zot Gjergjin dhe zot Skënderbeun.
Bija e tretë e Gjergjit, Kirana (Anna), e katërta Elena dhe e pesta Despina morën djem nga fisi i madh i Dukagjinasve, përkatësisht Nikollin, Gjergjin dhe Tanushin.
Anna pati dy djem njëri prej të cilëve u bë pasha i Sulltanit. Elena pati shumë fëmijë njëri prej të cilëve u quajt Skënderbe. Despina pati djalë dhe vajzë. Vajza e shtatë, zonja Komita u martua me Gojko Balshën, zot i Musjes (midis Krujës dhe Lezhës) me të cilin pati dy djem dhe një vajzë.
Djemtë vdiqën në Hungari ndërsa vajza, zonja Maria u martua me zotin Kont të Murit, Jakopo Alfonso i Mazeut të Farriles. Pasi Maria vdiq në vitin 1459, konti u martua me Marien, bijën e Vrana Kontit të Skënderbeut.
Vajza e fundit e Gjergj Arianitit, Katerina në fillim u martua me një djalë nga dera e Spanve nga Shqipëria e Veriut me të cilën pati një vajzë që u largua në Hungari me të shoqin. Në martesën e dytë Katerina u lidh me zot Nikola Bokalin, dhe patën dy djem e dy vajza.
Objekti i shkrimit është vajza e gjashtë e Gjergj Arianit Komnen Topisë me emrin Angjelina. Angjelina u martua me një burrë shumë më të madh se veten, i verbër ose pothuajse i verbër, despot i shfronësuar i Serbisë, i quajtur Stefan.
Ky ishte njëri nga tre djemtë e despotit serb Gjergj Brankovic (baba) i cili pa rënë në sy por jo pa dinjitet kishte ekzistuar midis hungarezëve katolikë dhe turqve të cilët e patën vasal. Pas vdekjes së të atit, Stefani u shpall për pak kohë despot, për të humbur më pas përfundimisht pavarësinë.
Stefani i verbër ka bërë shumë pelegrinazhe. Në njërin prej udhëtimeve të tij, atë që bëri në Shqipëri në vitin 1461, ai u njoh dhe u martua me Angjelinën duke vendosur kështu lidhje familjare me Skënderbeun.
Më pas, me rekomandimin e Skënderbeut pranë Dukës së Milanos ai u nis për në Itali ku në vitin 1472 ai përfundoi në Friuli. Në Friuli çifti Stefan-Angjelina të shoqëruar nga njerka e Angjelinës, jetuan me ndihmën e Sinjorisë Venete, por jo pa vështirësi.
Në tetor të vitit 1476 Stefani vdiq. Në vitin 1478 Angjelina ndodhej në Vienë ku perandori Federiko III e mori për zemër fatin e saj dhe i dhuroi një kështjellë në Karincia–Veissenfels.
Në këtë kështjellë Angjelina dhe djemtë Gjon dhe Gjergj më 9 tetor 1479 i premtuan besnikërinë e tyre perandorit Federiko.
Angjelina kthehet në Itali ku përsëri u ndihmua nga papa siç dëshmohet nga Regjistrat Apostolikë ndërmjet viteve 1479-84.
Pas një përpjekjeje të komplikuar për shitjen e kështjellës së Belgradit në Pordenone/Itali, Angjelina me djemtë transferohet përsëri në Austri.
Në sajë të mbrojtjes nga perandori, bija e Angjelinës, Maria martohet me një person me emër, me Markezin e Monferratës, trashëgimtari i fundit i asaj dege të Paleologëve, e cila, që prej shekullit XIV u zhvendos në Piemonte.
Kjo martesë në disa detaje, ngjason me atë të nënës, por, në kontrast me të, ajo i siguroi vajzës një qetësi relative.
Maria në vitin 1485 ishte vetëm 18 vjeç, ndërsa i shoqi plot 59. Për Markezin e Monferratës preokupohej vetë perandori i cili e kishte markezin vasal besnik të tij në jug të Alpeve.
Kuptohet në këto kushte, zonjusha e re, e nderuar, bijë e Angjelinës, nuk mund ta refuzonte një martesë të këtij lloji.
Pas 1485-ës Angjelina me djemtë u vendosën në kështjellën e Kupinovos, ishull në lumin Sava, ku sollën me vete edhe eshtrat e Stefanit që u bënë objekt pelegrinazhi për besimtarët ortodoksë.
Më pas jeta e Angjelinës vazhdoi me ngjarje jo të këndshme. I biri, despoti Gjergj ndoshta i zhgënjyer nga dështimi i martesës së tij me një napoletane fisnike, ardhur në Hungari pas Beatriçes së Aragonës, braktisi papritur kështjellën ku banonte dhe u kthye në murg duke marrë emrin Maksim.
Djali i dytë, Gjoni, më luftarak, në vitet e mëvonshme mori pjesë në beteja kundër turqve, duke depërtuar disa herë në Bosnje.
Prifti Maksim me të ëmën, Angjelinën, që u bë murgeshë, dhe me eshtrat e të atit, shkoi në Vllahi ku ndihmoi për organizimin e kishës lokale ortodokse, duke bashkëpunuar veç të tjerëve dhe me ish-Patriarkun e Konstantinopolit Nifon, edhe ai me origjinë shqiptare. Ky i fundit ishte djalë i një shqiptari që punonte pranë Gjergj Brankoviçit dhe që pastaj u transferua në Peloponez ndoshta me dhëndrin e Gjergjit, Tomas Kantakuzenin.
Më vonë Maksimi (Gjergji) u kthye në Hungari dhe në 1502 shkoi në Venecia me mision diplomatik në ndihmë të vëllait Gjon, i cili vdiq shpejt pas kësaj kohe. Angjelina dhe prifti Maksim jetuan akoma dhe shumë vjet në Manastirin Krushedol ku edhe vdiqën. Angjelina vdiq si murgeshë në vitin 1516 si pasojë e shëndetit jo të mirë, kurse i biri nën detyrën e Mitropolitit të Belgradit.
Malet Frushka Gora ndodhen ndërmjet lumenjve Danub dhe Sava, pranë qytetit Sremski Karlovac të Vojvodinës në Jugosllavi.
Në Frushka Gora ndodhen shumë manastire, ndërmjet të cilëve dhe Manastiri i fshatit Krushedol, i shtrirë në pjesën jug-lindore të maleve të përmendura.
Ky manastir përfaqëson një kompleks ku përfshihen konakët dy-katësh që formojnë brinjët e një katrori në qendrën e së cilit është kisha me kambanoren.
Manastiri i Krushedolit njihet si qendër e përshpirtshme e familjes së despotit Brankoviç. Ai është ndërtuar ndërmjet viteve 1509 dhe 1516 nga zonja Angjelina, bija e Gjergj Arianit Komnen Topisë dhe gruaja e Stefan Brankoviçit, si edhe nga i biri, Gjergji (Maksim pas shugurimit).
Për këtë ndërtim ndihmoi Vojvoda, vllah Jovan Njegoja. Në këtë manastir ndodhen eshtrat e Stefanit të Verbër, ato të Shën Gjonit, përkatësisht babai dhe vëllai i Peshkopit Maksim (Gjergjit), eshtrat e Maksimit dhe ato të Nënës Angjelinë.
Eshtrat e kësaj familjeje u ruajtën atje deri në vitin 1716, pra plot 200 vjet pas vdekjes së Shën Angjelinës, deri kur manastiri u dogj e u dëmtua duke pësuar humbje të konsiderueshme. Gjatë shekujve XVI-XVII Manastiri i Krushedolit u bë një qendër e njohur kishtare.
Gjatë viteve 40 të shekullit XVI u realizuan pikturat e para murale. Pas djegies së manastirit, rinovimi i kishës dhe i pikturës murale përfundoi në vitin 1745.
Kisha e sotme ka formën trekonkëshe me kupolë në qendër. Në ambientet e saj ruhet piktura murale me skenën e familjes ku janë pikturuar Gjergj Brankoviçi, Gjoni, Maksimi dhe Angjelina. Kjo pikturë është realizuar në vitin 1750 nga piktori ruso-ukrahinas Jovan Vasiljeviç me financimin e tregëtarit Racko Jovanoviç nga Novisadi i Vojvodinës.
Veç kësaj, në ikonostasin e kishës së Manastirit të Krushedolit, në rrjeshtin e poshtëm, djathtas dyerve të bukura, ndodhet ikona familjare ku shihen katër personazhet e kësaj kishe: Maksimi, Angjelina, Gjoni dhe Stefani i Verbër.
Historia e Shën-Angjelinës Shqiptare, bija e prijësit të njohur shqiptar të shekullit XV Gjergj Arianit Komnen Topisë, mishëron një nga historitë e shumta të figurave të spikatura të trevave shqiptare të cilat presin të evidentohen dhe ndaj të cilave mendimi studimor shqiptar ndjehet tepër i detyruar.
Kombi shqiptar sot është tepër i ndjeshëm ndaj njohjes së figurave të tij historike. Ndër të tjera nevoja për t’i zbuluar dhe studiuar ato, vjen edhe nga vlerësimi që iu bëhet këtyre personazheve historikë edhe nga komuniteti ndërkombëtar.
ObserverKult
Lexo edhe:
Arbërorja Angjelinë, kush ishte kunata e Skënderbeut të cilën serbët e quajnë “nënë”
Nga Artan Shkreli
Ndryshe, Angjelina është një shenjtore e Kishës Ortodokse, të cilën sllavët e nderojnë posaçërisht.
U lind në Berat me prindër princin e madh arbër Gjergj Aranitin dhe fisniken e pasur Marie Muzaka.
Motra e vogël e Donikë Kastriotit, gruas së Skënderbeut, Angjelina u edukua në kurtin arbëror me virtytet më të larta të kohës për një vajzë.
U martua (v. 1461), në kombinim aleance antiturke, me princin trashëgimtar të Despotatit të Serbisë Stefan Brankoviçin, i cili u strehua një periudhë në Arbëri e më pas në Itali ku vdiq herët (v. 1476).
Themeluese, me ndihmën e mbretit hungarez Matthias Corvinus, e manastirit të Krushedolit, u shpall më pas shenjtore në Mitropolinë Hungaro-Vllahe që udhëhoqi i biri (edhe ai shenjtor).
Vdiq në dekadën e dyte të ‘500.
Me shndërrimin më vonë të kësaj mitropolie në Mitropolinë e Beogradit, serbët e quajtën “Angjelina e Serbisë” dhe i dhanë titullin “nënë”.
30 korriku është dita e saj si pajtore e mëmave, dhe vecanërisht e kujt quhet Angjelinë, Anxhe, Gjelë e Linë.
ObserverKult
Lexo edhe:
LUAN RAMA: MË MERR FRYMËN KY MALL…
Ky mall më rrjedh si një shi i ngrohtë
ardhur nga qiej të tjerë,
shi nga sytë e një gruaje
peizazhe të copëtuara në njëqind imazhe,
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult