Me bluzën e bardhë afrohesh ngadalë
pranë djalit që shlodhet në gjumë
ti sjell rreze drite kur hyn në spital
sjell jetën që rrjedh si një lumë.
I qeshur, i dashur, i ëmbël ti flet
pamposhtur qëndron në shtrëngatë
për të ardhmen e ndritur ku jeta thërret
ti lodhje s’ndien ditë as natë.
Për zemrën dhe ndjenjat fisnike
për duart e arta që ke
me mirënjohje ty të kujtojmë
për ty këndojmë ne.
Ti vjen si një dritë që ëmbël agon
dy sy po të presin plot shpresë
me vdekjen mizore ti ashpër lufton
që foshnje e pafajshme të mos vdesë.
Kur sytë e qeshur zgjohen pastaj
dhe vdekja largohet trishtuar
një nënë puth foshnjen për shpirtin e saj
dhe ty të mendon e gëzuar.
Me punën fisnike ti zemrat pushton
sa njerez që ti ke shpëtuar
Ndaj kënga e ime për ty sot jehon
ti je si një zjarr i pashuar