Anjeza Dielli: Të dua ty që kur kam lindur!

Ndërsa rrugicat e gurta rezistonin
muret ishin shembur.
Ti në nxitim e sipër
më tregoje betejat e tua.

Bota e rrumbullakët u bë me qoshe:
te e para shpalle gjithë puthjet,
tek e dyta bëre revolucionin,
tek e treta parkove biçikletën
dhe te qoshja e fundit
vare ëndrrat si merimanga.

Isha e hutuar,
nuk di se si të ndiqja.
Kalatë që ndërtoje me mund të madh,
i rrëzoje vetë me një shikim;
me njërën dorë zbrisje diellin,
e si e fshihje pas shpine,
sillje natën e hënën:
të dyja bashkë i sillje,
takim ngjyra-ngjyra, populli ishin yjet,
me të gjithë bëje luftë
e me asnjë nuk fitoje.

Kur të gjitha ç’kishe për të bërë,
i bëre,
u shtrive sa gjerë e gjatë mbi divan,
fytyrën zhyte në një libër.

Unë përballë teje dalloja veç supin,
refuzoje ta zbuloje fytyrën si fëmijë i llastuar,
kur gjeta rastin që nuk e kishe mendjen
u lëshova e gjitha mbi divan e dorëzuar
e të thashë:
“Të dua ty që kur kam lindur!”