Sueton Zhugri: E vogla ime, lamtumirë…

nesër Mbi tavolinë kam lënë adresën e varrit që të shkosh të ujisësh fotografinë dhe lulet në verë, (mos u merr erë, është shumë herët)

E vërtetë,
një ditë do të të humbisja.
Do të ish
një këputje ajri,
një thyerje nate,
një agim i heshtur.

Një ditë do të më humbisje
me puthje pranë lumit të Lanës,
rrëmujës së maceve të zeza
një ditë do të të humbisja,
ashtu në jerm si ti dhe toka
prej vërteti shpirti do më shqyhej,
si një gazetë e vjetër
që ndez një zjarr të ri,
që s’është më imi.

E vogla ime, zogthi im,
merr malli krahët
e çmendur të braktisjes,
si patat e egra marrin arratinë
drejt tokash të blerta t’mjegulluara.

Midis nesh qëndron e mundura
dhe e pamundura,
si një rrugë e shtruar kalldrëm
me dhëmbë të shkoqur
nga goja e shpresës për tek yjet.

Të humba zog
dhe goja mu mbyll,
siç mbyllen sytë e atij që hedhim
papritur në greminë,
të larë, zbardhur
në klor.

E vogla ime, lamtumirë…
shpirti im i patrazuar i mrekullive.