Nga Ndue Dedaj
Shkrimtari i njohur Preç Zogaj, në Panairin e Librit, nëntorin e kaluar, erdhi me romanin me titullin intrigues, “Anjeza nuk u zgjua”. Duheshin lexuar afro pesëqind faqe libër për ta marrë vesh fatin e trishtë të vajzës protagoniste, që nuk kishte si të “zgjohej”, përderisa koha në të cilën rronte ishte duke u shuar. Romani krijon shtratin e vet, ashtu si Drini, ndanë të cilit zhvillohen ngjarjet, në gjysmën e dytë të viteve ’80, duke u njohur lexuesi gjurmë pas gjurme me Anjezën, një personazh të pahasur më parë.
Anjeza niset si një ëndërr dhe përfundon si një robinë e rrethanave. Autori vetëm sa rrugëton me të, duke e lënë Anjezën në fatin e saj, që ta luajë vetveten deri në fund. Nuk e nxit, as nuk e pengon. Nuk krijon kurrfarë artifici letrar, që do ta bënte të panatyrshëm personazhin e vet, rreth të cilës më shumë vërtiten se veprojnë të tjerët, ku vetëm Davidi individualizohet dukshëm. Autori nuk ka dashur të merret dhe aq me galerinë, por me robinën, për ta dhënë deri në fund gjerësinë dhe thellësinë e një karakteri njerëzor si Anjeza, që është ai i një vajzë fshati, tek e cila ka depërtuar qytet(ërim)i deri në inde, ani se në vendlindjen e saj ende nuk janë shuar jehonat e vjetra të malësive nga kanë zbritur të parët e saj.
Përmes Anjezës, Zogaj na ka sjellë Lezhën e tij të djeshme me drithërimat dhe dritëhijet e veta, periferinë dhe provincën shqiptare gri, që e ndan një det me Tiranën. E vetmja frymë që e mban gjallë atë është dashuria, ku ka gjer skena erotike, pulsim të jetës intime, flirt, po dhe filozofime origjinale rreth dashurisë. Një roman i dashurisë që të përfton emocion, por dhe roman psikologjik, nga përjetimet e ndërsjella dashurore të Anjezës dhe Davidit.
Në fillim është Davidi që e projekton Anjezën për lexuesin, duke kërkuar t’i japë kuptim lidhjes së tyre, në kohën kur ata të dy, pa ndonjë shkak të lexueshëm, dhe e pranojnë dhe e refuzojnë njëri-tjetrin. Anjeza shpaloset në roman si një vajzë plot hire, e bukur, e natyrshme, e përmbajtur, e vetëdijshme për feminilitetin e saj, që i druhet mjedisit përgojues, por jo kur është fjala për dashurinë me Davidin.
Ajo rron mes Patalanës, fshatit të saj në afërsi të Lezhës dhe vetë qytetit me mure antike. Përpiqet të debutojë në fushën e artit skenik, ka ëndrra për të nesërmen, mëson pjesë letrare për të konkurruar për aktore, përfshihet në grupin e kërcimit të Pallatit të Kulturës, ndjek kursin e italishtes, punon si shpjeguese muzeu etj. Nuk ka ndonjë entuziazëm as kur bëhet e njohur gjithandej, meqë i ka dhuruar buqetën e luleve Udhëheqësit të Lartë, gjatë vizitës së tij në fermën e Nëndrinit. Është një karakter që vjen duke u maturuar me mjeshtëri nga autori, të cilit i intereson çdo nuancë e saj.
Ndihet se autori e kishte brenda tij prej shumë kohësh Anjezën dhe erdhi çasti që duhej ta rrëfente atë me nge, ndoshta ngaqë nuk mund ta thoshte shkurt botën e saj, endjen për kah ëndrra, rrethinën rurale-urbane ku ajo gjallinte. Ajo dashurohet me Davidin, por dashuria e tyre thyhet, edhe pse ata të dy vazhdonin të duheshin. Fati i Anjezës ishte i “nëmur”.
Ajo nuk mund të ecte në jetë. Vetë shkrimtari na e thotë arsyen e mos-arsyes: “Ajo ishte e talentuar… por një vajze nga një fshat i Lezhës nuk i mjaftonte talenti dhe as dalja në fotografi me Udhëheqësin e Lartë për të çarë në pyllin plot me ferra, driza dhe kafshë të egra të artit”.
Duket se asgjë e keqe nuk do të ndodhë, derisa, në gjendjen pezull – as bashkë as ndaras – me Davidin, para saj shfaqet një tip si Arjan Luna, që e rrotullon “timonin” e ngjarjeve dhe fatit të Anjezës në një tjetër kahje, jo ai vetë, por si i përdorur nga bijtë e njerëzve të pushtetshëm, Visi e Koli, njëri djali i ministrit të Ekonomisë dhe tjetri djali i deputetit, që, kur venin në Lezhë, strehën e kishin te Hoteli i Gjuetisë.
Ata, duke e ditur pamundësinë e vajzës për të mbërritur skenën, nisin t’i vardiseshin, kinse po e ndihmonin të fitonte konkursin për aktore, që e kishte humbur një vit me parë. Anjeza, kur sheh se nuk ka mundësi tjetër, e pranon “një dorë nga jashtë” që mund t’i jepej për ta mbërritur ëndrrën, dhe pse kjo ishte jo në përputhje me parimet e saj morale.
Fati saj është i njëjtë me atë të Davidit, i cili, gjithashtu, nuk mund të çante në jetë, ngaqë “ishte njeri pa njeri, pa trevë, pa familje”.
*
Si njëri, si tjetri e kanë të pamundur ta ndryshojnë gjendjen e tyre dhe vjen një çast që nuk kanë më iluzione. Për Anjezën ky çast është kur kupton se nuk mund të ecë vetë drejt universitetit, kurse për Davidin kur braktis vendin e tij për një punë më të mirë në puset e naftës. Në këto rrethana shfaqen për herë më shumë Visi dhe Koli, si vëllezër siamezë, të “kllonuar” të Bllokut, që nuk përmendet si emër, njerëz pa personalitet, që i njohin vetes pushtetin të bëjnë çdo gjë me të tjerët “poshtë” rangut të tyre.
Autori shkruan se ata “mbaheshin si rebelë të asaj që përfaqësonin familjet e tyre”, por pa i refuzuar privilegjet. Anjeza, dhe pse nuk kishte ndonjë simpati për “bamirësit” e saj, as në ëndrrën më të shëmtuar, nuk e kishte shkuar nëpër mend përdhunimin, aq më tepër në grup, sikur ajo që do të ndodhte mbi trupin e saj të ishte për ta një lojë seksi dhe jo një krim, ndonëse, të mësuar me të palejuarën, ata nuk e shihnin si të tillë.
Prandaj ajo nuk thotë asnjë fjalë kur “zgjohet” pas zezonës që ka provuar atë natë në katin e gjashtë të një pallati në Tiranë. Në të vërtetë ajo ka vdekur asaj nate, por ditët që zgjasin janë më shumë për të vënë në provë karakterin e Davidit, që tash po nxitonte të përmbushte atë që nuk kishte mundur ta bënte kur Anjezën e kishte në krah të palënduar. Filmi “Ora Blu” kishte qenë kurthi për ta tërhequr vajzën drejt fillimit të fundit të saj, duke e mashtruar se ajo e kishte fituar degën e ëndërruar në Institutin e Lartë të Arteve dhe kjo sipas tyre duhej festuar.
Anjeza u nis për t’u bërë aktore dhe për të luajtur në skenë dhe ekran rolet e teatrit klasik dhe atij bashkëkohor, por pati vetë fatin e personazheve të teatrit absurd. Anjeza nuk u zgjua, sepse ajo shkoi të përmbushte deri në fund rolin e saj, që nuk ia kishte caktuar regjisori, por fundi i trishtë. Shumë gra të letërsisë, pavarësisht rrethanave dhe kohëve, si Ana Karenina, Zonja Bovari, Dija e “Sikur të isha djalë”, Ana Maria Monti e “Qyteti i fundit” kanë pasur fatin e saj, por ajo nuk është asnjëra nga ato. Anjeza ka një paraprirëse tragjike nga kreshta e saj dhe ajo është Marta Ballgjini, që gjithashtu ka kryer vetëvrasje.
Autori nuk thur diçka klasike për vdekjen, si të Martës, si të Anjezës. Ne nuk e dimë nëse Marta u rrëzua pa dashje, apo ra nga shkëmbi qëllimisht për të vdekur te kanioni i madh. Ne po ashtu nuk e dimë nëse Anjeza i piu me shumicë kokrrat qetësuese për të bërë një sy gjumë në tren, apo për t’i dhënë fund gjithë atij lëmshi jetësor që iu krijua befas nga “xhentelmenët” e Tiranës. Ky është një qëndrim i fisëm i shkrimtarit ndaj vdekjes, të cilën ai nuk nxiton ta deklarojë vetë, prandaj na thotë në mënyrë befasuese se “Anjeza nuk u zgjua”. Ky është një eufemizëm i letërsisë moderne.
Megjithatë shkrimtari na përgatit për fundin në të dy rastet. “Ideja se nuk kishte kush ta ndihmonte, ndërsa duhet të nisej, e kishte mbushur me një dëshpërim që i merrte frymën… Marta kishte dalë nga shtëpia kokulur, e zbehtë si një kufomë…” (f. 99.) Po ashtu Anjeza: “Dukej e vdekur, por s’mund të ishte e vdekur, përderisa mbahej ashtu si kulla e Pizës. Atij i shkoi mendja se mosrënien e saj e siguronte një element i zgjatimit të saj brenda gjumit. Frika. Ajo nuk do të jetonte më pa frikë në jetë të jetëve. As në gjumë. Atij i erdhi për të qarë”.
Faqet e fundit të romanit në tren janë përshkruar me nota të thekshme trishtimi, pasi në atë tren të zakonshëm të linjës Lezhë – Fier po luhej e jashtëzakonshmja. Po shuhej një vajzë e dëlirë, që do të bëhej artiste, çka nuk ndodhi. Ai tren ishte “kanioni i madh” ku ajo po thyente qafën? Apo vrapi i tij ishte troku i pandalshëm i fatalitetit të saj.
Sa i përket stilit, mund të thuhet shumëçka, por një nga mjetet shprehëse më të parapëlqyera të shkrimtarit është grotesku, që shpërfaqet në gjithë mbarështrimin e romanit, në episode, situata dhe tipa groteskë; vetë vizita e Udhëheqësit të Lartë dhe caktimi i Anjezës për t’i dhuruar buqetën e luleve është dhënë me nënqeshje; flitet për hapjen e vendit dhe ajo për të rinjtë lezhianë arrin deri te Hoteli i Gjuetisë, që kishte qenë një mollë e ndaluar për ta; festa e çlirimit në kala përshkruhet si një rutinë, ndërkohë që tallja thellohet në rastin e djemve “gangsterë”, që kinse do të arratiseshin në Milano, kur ata do të venin veçse deri në Milot për pazar!?
Tjetër situatë groteske është shtegtimi në zonat e naftës i sekretarit të Partisë, Gjinit, për të gjetur dy djemtë e humbur plëngprishës, Davidin dhe shokun e tij, por dhe rravgimet e fundit “kanunore”, në emër të nderit të humbur, të pleqve të Patalanës, që pas stuhisë ngjan “si një shpend i shpupluar shkel e shko”.
Autori Preç Zogaj, i njohur jo vetëm si poet i shquar, por dhe si një shkrimtar me përvojë në lëvrimin e prozës (mjaft të përmendësh novelat, romanet “Pa histori”, “Kufiri” etj.) e ka shkruar romanin brenda psikologjisë së at’hershme dhe jo duke e kundruar të djeshmen nga e sotmja. Ai vetëm rrëfen dhe nuk mban qëndrime rreth ngjarjeve dhe personazheve.
Në fillim e pikturon Anjezën si një ikonë dashurie dhe pastaj e skalit si një skulpturë dramatike. Romani tek e fundit është ajo. “Anjeza” e tij, duke qenë një robinë e kohës dhe jo një heroinë e saj, në një kontekst është lajmëtarja e asaj që ajo shoqëri kishte shkelur nëpër ravën e vetëvrasjes. Por kjo është njëra anë.
Ana tjetër është mishërimi i idesë se dashuria është sfiduese e çdo regjimi e banaliteti. Ndaj si një himn për femrën dhe dashurinë, vepra do të mbetet një “Anjezë” e përveçme e letërsisë shqipe, sigurisht me kumte universale. Romanet që shënojnë kulme artistike në letërsinë bashkëkohore, me gjasë kështu vijnë, pa ndonjë “gjyq” në finale, ku triumfon e mira dhe bota ndreqet.