Konushevci botohet në “Songs of Eretz Poetry Review”, Kosova hyn në hartën e revistës

vlora konushevci lavdi vetes magma
Vlora Konushevci

Tri poezi të Vlora Konushevcit, “Fllanzat”, “Kokrra rrushi” dhe “Letër nga karantina”, në gjuhën angleze, janë botuar në buletinin pranveror të revistës “Songs of Eretz Poetry Review”.

Revista Letrare “Songs of Eretz Poetry Review”, është krijuar në vitin 2014 në SHBA. Ajo ka publikuar poetë dhe autorë me letra kredenciale mbresëlënëse, duke përfshirë: Poetin Laureat aktual të Shtetit, tre ish-poetë laureat të shtetit, dy ish- poetë laureat lokal, fitues të Çmimit Brams Stoker, fitues të Çmimit Emerson, fitues të Çmimit Pushcart, fitues të Çmimit të Poezisë William Stafford etj.

Shumica e poetëve të botuar në këtë revistë letrare kanë publikuar botime në revista të tjera prestigjioze. Shumë prej tyre gjithashtu janë poetë tashmë me një bagazh të pasur letrar. Ndërkaq të tjerët janë poetë dhe shkrimtarë të ardhshëm, zëri i të cilëve sapo ka filluar të dëgjohet. Kjo revistë letrare përfshinë poetë dhe shkrimtarë nga të gjitha shtetet e ShBA-ve, ndërkaq nga arena ndërkombëtare poetë që kanë kontribuar në “Songs of Eretz Poetry Review”, janë nga: Australia, Kanada, Kina, Anglia, Franca, Greqia, India, Irlanda, Izraeli, Italia, Holanda, Zelanda e Re, Pakistani, Filipinet, Rusia, Skocia, Spanja, Turqia, Vietnami dhe tashmë edhe Kosova.

Komenti i redaktorit: Opti i mprehtë, shkathtësia gjuhësore dhe imazhet reale të Konushevcit skalitin shumë fytyra të njerëzimit, të cilat lexuesve ua mundësojnë ta krijojnë një qëndrim apo një zgjidhje.

FËLLANZAT *

Veç sytë i kam gjallë
tjerat m’i kanë vra,
në sy të nanës
farën e ndytë ma kanë shprazë
egërsinat për
njizet e nji ditë rend.
Nanës veç zani i ka mbetë
me më thirrë si ezan
kur i afrohem bunarit.
Nandë herë kam provu me dekë.
Deka ka shumë dyer
piskama jeme bunarin e ka lemeritë,
i kam pa skajet e vetes të rrafshueme
prej vajit toka asht kalbë
toka e eshtnave t’babës
t’gjyshit
t’kalbuna edhe ato.
Toka u çel
odës i ra themeli.
Dhetë herë kam provu me dekë.
Rozafën e harruet
mallkimi i nanës
në ditën e kiametit
ka me ju murosë,
siç murosët
pisllëkun e piskamën
në tokën e rranjëve të kalbuna
u kalbëm edhe vetë.
Ma s’provoj me dekë
veç nji pikë ujë e du!

* Simbas tregimit «Fëllanzat» të Gazmend Bërlajollit, bazu në dëshmi autentike të grave të përdhunueme gjatë luftës

Në të njëjtin numër të revistës është publikuar edhe një autor tjetër nga Kosova, poeti Arbër Selmani, me poezinë “Kur vdiq baba”.

Për të shfletuar Revistën Letrare “Songs of Eretz Poetry Review”, klikoni këtu: http://www.songsoferetz.com/

_______________________

Biografia:

Vlora Konushevci u lind më 1981 në Prishtinë. Ka mbaruar studimet në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës për Gjuhë dhe Letërsi Angleze dhe ka vazhduar studimet në Linguistikë.
Autorja merret me shkrime prej një dekade, fillimisht me blogun personal “Me dorë në zemër”, i cili ka afro 50 mijë ndjekës. Në të janë publikuar shkrime me tema kryesisht nga sfera e problemeve shoqërore, përkthime të poezive, teksteve letrare si dhe poezi autoriale.
Poezitë dhe përkthimet e autores janë publikuar në shumë revista letrare dhe portale kulturore të vendit tonë. Konushevci është fituese e çmimit “Poezi për Paqe” të organizuar nga KultPlus dhe UNwomen. Ajo është autore e tekstit të këngës “Ajo asht ba”, e cila ka hapur fushatën e “16 ditë aktivizëm”, kundër dhunës ndaj grave.

Konushevci është autore e librit me poezi “Lavdi vetes”, botuar nga OM, Prishtinë.

______________

Kritikë për poezinë e Vlorës:

Ledia Dushi, poete dhe studiuese:

Tanësia poetike e Vlora Konushevcit ka gjithë frymën e laudeve dhe hymneve, tue fillue nga “vetja” me nji ironi të hollë; veçse laude e hymne thurë në dhe për nji realitet tashma “shekullar”.

Poezia e Konushevcit niset për, dhe nga të tjerët. Autorja i drejtohet lexuesit, jo për me e përfshi atë në ndjejat dhe mendimet e saj, por e ndihmon që t`i ndjejë brenda vetes. Kështu shpirti asht kthye në objekt. Kështu qëllimi kthehet në mision. Poezia, poeteshat, historikisht kanë nji zotim të brendshëm e të pashpallun, të pashpallun për sa kohë i panegociueshëm, me thanë të vërtetën, nji kontratë që e bajnë së pari me veten e mandej me lexuesin.     

Poezia e Konushevcit kërkon diçka heroike, të jetuemit me dinjitet. Për kët` ajo sikur zbulon përditë të vërtetën dhe kështu zbulon rishtas jetën, tue përfshi aty edhe veten e saj. Kërkon me krijue nji kangë të re ku liria, dhimbja dhe kënaqësia të shkrihen në nji çast të vetëm.

Në poezi thuhet se përdoret fjala. Ne fakt poezia i shërben fjalëve. Dhe kështu krijon mitin, mitin e njeriut. Në vargjet e Konushevcit asht fjala e jetueme dhe e ndeshun. Vjen në vazhdën e nji sipërmarrje ku njeriu dhe bota zbulojnë të vërtetat e veta. Në poezinë e saj ndjehet se, me folë don me thanë me veprue…

ObserverKult