Ankohet Lea Ypi: Në Shqipëri po më ofendojnë, akuzojnë, shpifin…

lea ypi

Akademikja dhe autorja Lea Ypi ka dhënë një intervistë për “The Guardian” lidhur me librin e saj “Të lirë” dhe impaktit të tij.

“Një libër për rritjen para dhe pas rënies së komunizmit në Shqipëri ka fituar komente pozitive në perëndim, por ka shkaktuar reagime të egra e abuzuese nga një pakicë shqiptarësh”, shkruan The Guadian referuar intervistës me Lea Ypin.

The Guardian shkruan më tej sesi libri me kujtime shiti 10,000 kopje. Libri mori vlerësimin me pesë yje në Daily Mail dhe Daily Telegraph dhe u emërua libri i vitit në Sunday Times.

“Por në Shqipëri libri gjeneroi një lum abuzimi në internet, saqë Ypit iu desh t’u bënte thirrje shqiptarëve që të ndalonin dërgimin e mesazheve fyese, akuzuese dhe shpifëse”, shkruan The Guardian.

“Ajo tha se zakonisht i pëlqente të merrej me kritikët e saj. Por se këto komente ishin ndryshe, sepse vinin nga njerëz që ose nuk e kishin lexuar librin, ose e kishin keqkuptuar kritikën e tij ndaj kapitalizmit dhe komunizmit”, shkruhet më tej.

“Një nga mesazhet më të rëndësishme në libër është se sado shtypës të jetë një regjim, ai kurrë nuk e dërrmon plotësisht dinjitetin njerëzor”, ka thënë Lea Ypi për The Guardian.

“Disa nga kritikët shqiptarë të Ypit i kanë keqkuptuar idetë e saj duke e konsideruar librin si një falje për komunizmin dhe e kanë akuzuar atë se ka përjetuar sindromën e Stokholmit”, shkruhet më tej.

Disa nga reagimet e njerëzve, Lea i ka konsideruar seksiste.

Dikush i shkruante se ajo dukej “më shumë si një showgirl sesa një akademike”. Një tjetër gërmoi një gazetë të vjetër që citonte Ypin si një 11-vjeçare që shprehte dëshirën për të ndihmuar vendin e saj dhe e akuzoi atë se ishte kthyer kundër vetvetes.

Lea Ypi ka thënë më tej: “Është një pakicë, por është kaq e zëshme, kaq personale dhe kaq e mbrapshtë, saqë ju ndikon shumë më tepër sesa komentet e tjera që kanë qenë jashtëzakonisht pozitive.”

Sipas Ypit, shumë nga kritikat erdhën pasi ajo lançoi versionin shqip të librit në ish-vilën e Enver Hoxhës në kryeqytet, Tiranë.

“Për mua ishte si të imagjinoja Hoxhën në ferr”, tha Lea Ypi për këtë pjesë duke e konsideruar simbolikisht të fuqishme zgjedhjen e saj.

“Prania në ditën e promovimit e kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe shumë prej ministrave të tij u keqinterpretua gjithashtu. Ypi tha: ‘Unë jam shumë kritike ndaj qeverisë shqiptare, por njerëzit mendonin se po manipulohesha ose po bëhesha palë me ta’”, shkruan The Guardian që shton.

“Perceptime të tilla kanë nxitur edhe thashethemet e rreme se Ypi do të bëhet presidentja e ardhshme e Shqipërisë”.

ObserverKult

Lexo edhe:

EDISON YPI: KURVISTAT MË TË NDYRË KANË BËRË VILAT MË TË MËDHA