Poezi nga Anne Sexton
Ajo është e gjitha atje.
Për ty, mjeshtërisht shkrirë dhe derdhur,
qysh prej fëmijërisë sate farkëtuar,
me njëqind guralecët e tu
kanakarë është ndërtuar.
Ajo ka qenë gjithherë atje,
i shtrenjti im.
Me thënë të drejtën, është e hirshme,
fishekzjarre në një shkurt të zymtë,
e prekshme si një tenxhere gize.
Le ta themi shkoqur.
Unë kam qenë kalimthi.
Një luks.
Një fllugë zjarr e kuqe
në liman.
Fërfëllojnë si tym dritares së makinës flokët e mi.
Përnjëmend. Jam midhjet jashtë sezonit.
Ajo është më tepër se kaq.
Është çka ti meriton,
Nuk është një provë kjo.
Ajo është vetë harmonia.
Ajo kujdeset për rremat dhe guzhmën e anijes,
ajo vendosi lule në parvazin e dritares në mëngjes,
ajo ulet në rrotullën
e qeramikës në mesditë,
lindi tre fëmijë nën hënën e plotë,
tre kerubinë pikturuar nga Mikelanxhelo,
e bëri me këmbët hapur
krejtësisht
në muajt e lodhshëm në kishëz.
Nëse hedh një sy, fëmijët janë atje lart,
si tollumbace të brishta
varur në tavan.
Ajo, po ashtu, i ka shpënë në shtrat pas darke,
dhe ata, kokëvarur të tre,
përplasin këmbët e vogla,
qaramanë dhe ngurrues,
dhe fytyra e saj kuqëlon
me një këngë
dhe me gjumin e tyre të ëmbël.
Po ta kthej zemrën tënde mbrapsht.
Të jap leje:
për fitilin që regëtin zemërueshëm në të,
për bushtrën që në ndyrësi
pështjellohet
dhe për varrosjen e plagës së saj,
për varrosjen së gjalli
të plagës së saj të vogël alle,
për lëbardhjen vetëtitëse
drithëruar nën brinjë,
për marinarin e dehur në pritje në kyçin e majtë të saj,
për gjunjët e nënës,
për çorapet,
për zharrtjerën, për thirrjen,
thirrjen kureshtare
kur ti do të qerthullohesh
në krahë dhe gjinj
dhe tërheqësh nga flokët e saj fjongon e portokalltë,
duke iu përgjigjur thirrjes, thirrjes kureshtare.
Ajo është aq e zhveshur, sa është unike.
Është shumatore jotja dhe e ëndrrave të tua.
Ngjite atë si një monument, hap pas hapi.
Ajo eshte solide.
Sa për mua, jam një akuarel.
Tretem.
Ujdisi shqip Rielna Paja
ObserverKult
Lexo edhe:
CILËT SHKRIMTARË I DHANË FUND JETËS ME “VETËDIJE”?
Anne Sexton (1928-1974): Sexton vuante nga depresioni dhe mania dhe ajo kishte tendenca vetëvrasëse të cilat i gjejmë edhe tek shkrimet e saj.
Në librin “The suicide of Anne Sexton”, vdekja e saj përshkruhet me këto fjalë:
“…ajo veshi pallton e vjetër të leshit të mamasë së saj, hoqi gjithë unazat, derdhi mbi vete një gotë me vodka, mbylli veten në garazh dhe ndezi motorin e makinës së saj, duke gjetur vdekjen nga helmimi me monoksid karboni.”
Lexo textin e plotë KETU