Prozë poetike nga Anton Pashku
Terri u derdh, e një rrigë e praruar e rrezeve të hënës e lau kreshtën e malit, luginën dhe u ngrit poshtë, atje mbi syprinën e lëmuar të lumit që rimon buzët dredharake të fushës. Çdo gjë është lidhur e shtrënguar mirë e mirë nga penjtë e qetësisë, nga penjtë e kësaj heshtjeje, e cila është e rëndë, e palëvizshme. Edhe qyqja hesht. As bulku nuk dëgjohet. Çdo gjë është strukur në vetvete, është mbyllur e kyqur në therrën e gjumit.
E lart, atje lart nëpër hapësirën e kupës së qiellit, një yll noton duke lënë mbas vetes një hark të gjatë vezullues.
Një klithmë u dëgjua!
Korbi krokati.
E penjtë e qetësisë u prenë si me shpatë.
Lisat e gjatë, që duken si fantazma të trishtueshme, shushuruan. Edhe qyqja kukati tri herë. As bulku nuk mbeti pa lëshuar zë.
Kurse hëna ndali rigën e praruar të rrezeve të veta. Ajo u fsheh mbas një reje me skaje të grisura. Nuk desh të shihte krimin, nuk desh të përlyhej nga pikat e gjakut që i lëshonte prerja e korbit.
Një hije, si hije vdekjeje, kaploi vendin.
ObserverKult
—————-
LEXO EDHE:
ANTON PASHKU: MJAFT MË KE MËRZITË…
– Hajt, të lutem, mos më lodh, mjaft më ke mërzitë!-thashë dhe, kuptohet, as që më vojti mendja t’i çeli sytë; mbeta aty, aty ku isha: mbrapa këlkatseve të mia, sall me veten, me veten time, në errësinë. Nuk më hiqte zemra, zemra, nuk më hiqte për të mendue për kapërcyellin, as për gavyellin, as për shtigjet, e as për gardhiqet.
Tekembramja, gati, të gjitha i kishte gllabërue gati krejtësisht errësina ime, kjo errësina mbrapa këlkatseve të mia: edhe kapërcyellin, të cilin ma kishin luejtë tinzisht, dhe kur ma kishin luejtë tinzisht unë isha rrëxue e ba jo për digë po për vig, edhe gavyellin, pa të cilin kish mbetë ajo rrota e qerres sime, edhe shtigjet që nuk mund të vazhdojshin përtej gardhiqeve, edhe gardhiqet, përtej të cilave, mendimi, nuk mund të ndiqej pa e pasë atë kapërcyell dhe atë rrotë të qerres me secilin gavyell. Por, jo krejtësisht, errësina nuk i kishte gllabërue krejtësisht.
Tekstin e plotë e gjeni KETU