Anulimi i Panairit të Librit. Ymeri: Ja rimodelimet që i ofruam Ministrisë së Shëndetësisë

Nuk do të ketë panair, as çmime vjetore! Panairi i librit është anuluar në formën e tij tradicionale si një pikëtakim mes lexuesve e autorëve, por një formë alternative vjen përmes takimeve letrare e shitjeve online.

Kreu i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, Petrit Ymeri, sqaron bisedimet me Ministrinë e Shëndetësisë, e cila nuk dha leje për panairin, pavarësisht rimodelimeve që janë përpjekur të bëjnë organizatorët.

“Ne e rishikuam planin tonë të panairit, zvogëluam ditët nga 5 në katër, reduktuam oraret, zmadhuam në planimetri, sipërfaqet e përbashkëta për lexuesit, që janë korridoret, megjithatë, përgjigja erdhi negative. Ne e mirëkuptojmë, është normale, që kërkohet të mos bëhen grumbullime masive siç është Panairi, sepse paraqet rrezikshmëri të lartë”, tha Ymeri

Në kushtet e pandemisë, vëmendja ndaj librit, do të tërhiqet ndryshe. Ymeri, kreu i shoqatës së Botuesve, tha se ‘panairi online’ që do të bëhet do të shtrihet në dy plane.

“Një do jetë nxitja e shitjeve online me platforma të ndryshme, ndërsa aktivitetet që ishin menduar do t’i bëjmë në pika të ndryshme të qytetit”, tha ai.

Petrit Ymeri prezantoi së fundi projektin evropian të letërsisë ku 10 autorë si Milan Kundera, Alda Merini, apo Peter Handke,  do të vijnë në shqip me përkthimet e  Mirela Kumbaros, Ledia Dushit, apo Jonila Godoles./BW