Aqif Hysa: Sonte më prit

Pritmë sonte, e dashur, para se erërat të flenë
e qerpikët e yjeve të shkundin pluhur të artë
askush s’do trokasë. Këmishën e tejdukshme të ajrit
mos e kopsit
si përnatë

se unë s’do të hyj nga dera, as nga dritarja, as
nga hapësira që syri yt mund të rrokë në ajri
kur të ndjesh fërgëllimën nga rrathët e padukshëm
mos i hap sytë
brenda vetes rri

nuk ka gishta ajri, as flatra zoti s’ka, ai krijohet
brenda rrethit të fundit si brengë, si lot, si domosdoshmëri
do të puth gjithçka nga brenda, si zot i porsakrijuar
ti pritmë sonte
nesërmbrëma përsëri…

ObserverKult