Aktori i shquar kosovar, Arben Bajraktaraj, u lajmërua nga kryeqyteti francez, ku aktualisht po qëndron i izoluar në këtë periudhë të pandemisë globale.
Sikurse të tjerët, aktivitetet e tij të shumta në film, televizion dhe teatër i ka pezulluar përkohësisht, ai po kujdeset të qëndrojë afër publikut me realizimin e intervistave online, apo edhe disa videove artistike, të cilat i ka postuar së fundmi në rrjetet sociale, e ku ai i shfaq aftësitë e jashtëzakonshme në poezi.
Megjithëse jeton dhe vepron jashtë vendit, Arbeni ka arritur ta krijojë një karrierë të suksesshme artistike edhe në skenën e huaj. Ai ka qenë pjesë e disa filmave e serive të njohura, si: “Harry Potter and the Order of the Pheonix”, “Taken”, “Of Gods and Man”, “Harry Potter and the Deathly Halloës” dhe të tjerë.
Ndërsa aktori Bajraktaraj për emisionin “Nëpër Film” të Kohavisionit, ka treguar se në cilat projekte mund ta shohim së shpejti, pasi pandemia të kalojë dhe bota t’i kthehet jetës normale.
Duke qenë se filmi shqiptar viteve të fundit ka shënuar suksese të jashtëzakonshme në botë, duke u vlerësuar për temat që trajtohen, kreativitetin e regjisorëve dhe lojën e mrekullueshme të aktorëve tanë, edhe Bajraktaraj e ndau mendimin e tij për ecurinë e kësaj industrie në vendin tonë.
Me një bagazh të pasur rolesh në projekte të shumta, si në film, seri apo shfaqje, aktori ndër të tjera tregoi se cili është roli që atij i fle më shumë në shpirt.
Malli dhe dashuria për vendlindjen Bajraktarajt nuk i shuhen kurrë. Ai tha se i viziton Kosovën dhe Shqipërinë sa herë që ka mundësi, dhe përpiqet t’i kryejë disa prej aktiviteteve të tij të preferuara, siç është vizita nëpër bukuritë natyrore të vendit tonë.
Projekti i fundit shqiptar në të cilin aktori ka luajtur është filmi i metrazhit të shkurtër “The Van”, ku Bajraktaraj e portretizoi një prej roleve protagoniste. Me regji të Erenik Beqirit, filmi arriti të prezantohej para publikut në festivalin prestigjioz të filmit në Kanë.