Dhe kur zemra të të rënkojë si traktor i vjetër,
E tym të të shpërndajë ngado,
Dhimbje zinxhirësh ti do kesh patjetër,
Por ti mos ik, dhe mos u dorëzo!
Dhe kur këmbët të të rëndohen porsi shkëmbi,
Dhe një hap të mos hedhësh dot si njeri,
Dhe kur gjer në shpirt dhimbja të të dhëmbi,
Ti mos u dorëzo, përsëri!
Edhe kur mesin të ta shtrëngojnë gjarpërinjtë,
Dhe të të kafshojnë e helmojnë ngado,
Dhe kur trupi të të ndizet si thëngjijtë,
Ti prapë mbahu, e mos u dorëzo !
Edhe kur koka të të gjëmojë si tërmeti,
Si miliona djaj të mbledhur ngado,
Sikur nga gjithçka të të mbetet veç skeleti,
Ti mbahu fort, dhe mos u dorëzo!
Kur të japësh dhe frymën e fundit,
E veç një grimë ajri të kesh në mushkëri,
Ti mos u jep prej lodhjes dhe mundit,
Dhe mos u dorëzo, përsëri!
Edhe kur të ta fusin trupin në tabut,
Dhe të të mbulojnë paq me dhè të zi,
Ti prapë thuaji vdekjes : – Ç’më ha një mut !
Mos u jep, dhe kthehu përsëri!
ObserverKult
—————————————–
LEXO EDHE:
NDAHET NGA JETA POETI I NJOHUR, ARBEN DUKA
Ka ndërruar sot jetë në moshën 64-vjeçare poeti i njohur Arben Duka, i cili prej kohësh vuante nga probleme të rënda shëndetësore.
Lajmi i hidhur është bërë me dije nga Aleksandër Çipa, që përmes një statusi në rrjetet sociale shkruan: “Lamtumirë Arben Duka! Mirëmbeç Poet i pavdekshëm!!!”.
Arben Duka lind në Labovë të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani”.
Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara deri në pesë herë. Është bashkëautor në rreth tre mijë këngë të të gjitha zhanërve duke filluar qysh nga viti 1974.