Arben Duka: Këtu po mashtrove, quhesh burrë i ndershëm!

arben duka

Nga Arben Duka

Jam një burrë i ndershëm,
Po jam kot së koti,
Këtu po të vjedhësh,
Quhesh burrë i zoti!

Kam goxha guxim,
Po s’jam trim vërtet,
Këtu po të vrasësh,
Quhesh trim me fletë!

Nuk di të gënjej,
Një zakon i hershëm,
Këtu po mashtrove,
Quhesh burrë i ndershëm!

Nga cepi në cep,
S’hidhem me vërtik,
Po ai që hidhet,
Quhet “elastik”!

Jam njeri besnik,
E liga s’më josh,
Sot quhesh “besnik”,
Po të jesh kodosh!

Thonë që kam talent,
Unë për poezinë,
Po kjo s’llogaritet,
Kur nget Qeverinë!

DITA rri në këmbë,
Dhe nuk bëhet urë,
Po ja, kush e dredh
Këtu quhet burrë!

Adhuroj me shpirt,
Shqiponjat e malit,
Po sot të sfidojnë,
Zhabat e moçalit!

Unë jetoj me këngën,
E bilbil gjyzarit,
Po sot vlerësohet,
Zëri i gomarit!

Gjithmonë më ka mbajtur,
Buka e hallallit,
Këtu s’vlen po s’more,
Nga arka e djallit!

Shqipërinë e dua,
Mbi çdo gjë në botë,
Ata që e shesin,
Quhen patriotë.

ObserverKult

________________________________

Lexo edhe:

ARBEN DUKA: TË MIRËN BËJE DHE HIDHE NË DET!