“Ardhja e pegasit në qelinë time”, Rudina Papajani interpreton poezinë e Visar Zhitit


Poezi nga Visar Zhiti

Ditën –
paradite, mbasdite,
Natën –
paramesnate, në mesnatë, pasmesnate
çdo trokëllimë më rrëqethte…
…më dukej si prangat,
sikur do vinte polici të më merrte
të më flakte në një shpellë
ku do tmerroheshin dhe tmerret.
Çdo trokëllimë…
Ç’do trokëllimë?…
Ç’kërkon?…
Një trokëllimë…
Vura veshin si me frikë…
Afër frëngjisë,
nëpër barin e pakët-patkonj.
Kulloste një kalë
si dikur,
si në ëndërr.
Trupi i tij i bukur –
muzg i larë me shi dhe hënë.
Ç’e mirë të solli kështu?
Mos je ti Pegasi?!
Kam pasur edhe unë dëshira të blerta
Të njoma si bari.
Ca m’i kanë shkelur,
ca i kam mbajtur.
Ty po t’i hedh
haji!
Dhe me buzët e thara
Mërmërita ngadalë

Siç mërmëritet nëpër dashurira:
-Kalë, o kalë…

Ngriti kokën,
u pamë sy më sy.

Kisha kohë pa u parë në një pasqyrë,
pothuaj e kisha harruar fytyrën time,
u pashë në sytë e kalit
kaq shumë njerëzorë
dhe me një si brengë shndritëse.
Isha i qethur tullë,
pis dhe me mjekër…
U mënjanova
se mos i dukesha kalit i egër.

Dhjetor, 1979

ObserverKult

visar zhiti
Visar Zhiti

Lexo edhe:

“S’DUA GJUMË…” RUDINA PAPAJANI LEXON POEZINË E NEZIR KRAKIT

VISAR ZHITI: DUKE TREGUAR VETEN, KE THËNË PËR TË TJERËT DHE KOHËN