
O Holy Grail, kam mëkatue,
përkulë jam n’pluhën t’kambëve t’tuja,
me m’i hjek barrët e fajit qi m’randojnë.
Ma merr frymën,
se e pastër s’asht ma.
O Holy Grail, kam mëkatue.
Kam folë kur duhej me heshtë,
kam zhveshë shpirtin deri n’palcë,
kam kallxue dashninë,
faj i randë,
qi s’e mohoj e s’e heq.
O Holy Grail, kam dashunue.
S’më fal dot?
A s’ke za, a veç hesht?
Atëherë, n’errësinë teme,
do t’i bie derës së nji feje tjetër.
O Imzot, kam dashtë,
e për kët faj
kamxhikun
e pres sot, pa za.
O Allah,
n’gjynah kam hy,
kam dashtë, kam folë, kam kajt.
O Allah,
a s’po m’fal?
O Adonai,
n’fjalë t’vjetra t’Ligjit po t’thërras,
emnin ta mbaj n’frikë e n’heshtje.
Fajin e njoh,
po shëlbimi m’rri larg.
O Buddha,
n’heshtje po t’kërkoj,
jo falje, po shuejtje.
Nëse dhimbja asht veç mendim,
pse m’djeg kaq fort?
O Krishna, o Shiva,
n’nji rreth pa fund jam hi,
dashnia m’ban rob e m’then.
Në cilën jetë
do t’jem e lirë?
O Waheguru,
Një Zot, nji za,
po zemra jem asht e përçamë.
Në barazi po t’kërkoj,
po faji m’ban veç.
O Zot i Bahá’íve,
në tanë emnat t’kërkova,
n’paqe, n’nji dritë.
Po shpirti jem
veç terr po gjen.
O Kami t’natyrës,
malit e erës po ju flas,
po s’po m’kthen kush fjalë.
Edhe pylli
m’ka lanë vetëm.
O Tao,
rruga pa emën m’mori n’vete,
po prap u humba.
E në fund,
me tanë emnat n’gojë
e me asnji falje n’dorë,
u lodha tue u lutë,
e mbeta veç njeri.
ObserverKult
Lexo edhe:






