Ardita Jatru: Bisha ime e butë

ardita jatru

Bisha ime,
Zgjohu!
Si t’i luftoj tani gjith’ këta mercenarë?
Ç’mu desh mua
që të zbuta,
tani jam e vetme në betejë
dhe kam frikë e fshihem
prapa varreve të mermerta,
se vrasësi s’vjen varrezave të të gjej,
atje e ka pushtetin vdekja.

Bisha ime, që të zbuta
ç’desha!
Më kot i hyj betejës me vrullin e fitimtarit
se në fund
shpatën e kthej nga vetja.
Dhe më thoshin dikur,
ruaje bishën se do të vrasë,
por s’më tha kush,
mos e vrit se do të t’hanë.

Tani fli
bisha ime e butë
copë copë në shtrat.