Ardita Jatru: Fëmijët e ’70-ës


Poezi nga Ardita Jatru

Fëmijët e ’70-ës nuk e kishin frikë diellin.
Ndërtonin kështjella rëre, në breg të detit,
të dobët,
lëkurëdjegurit,
vetëm qeshnin,
loznin dhe qeshnin.
Në vijën e horizontit, më të rrallë
shfaqeshin anijet me emra lirie nga bota tjetër
që mbartnin ëndrrat dhe zhdukeshin.
E kishin të ndaluar të përshëndesnin me dorë,
përdornin sytë
dhe imagjinonin, sikur të ishin aty
në bordin e anijes fantastike
dhe të zhdukeshin njëherë e përgjithmonë,
pa i parë njeri,
në botën tjetër,
pa kthim
por kishin frikë.
Pas tyre varej fatkeqësia në shtyllat elektrike
dhe ktheheshin të mundur, në qelitë e prindërve.
Hanin bukë, të heshtur
me vaj edhe kripë.
Fëmijët e kësaj toke
me koka të qethura njësoj,
me veshje të njëjta
me ëndrra dhe drama me të njëjtën fabul,
vetëm qeshnin, të bukurit,
loznin dhe qeshnin.
Ca i ndërtuan kështjellat.
Ca i shembën
dhe ikën
nga sytë këmbët,
andej botës,
një ditë kur u rritën.

Por kanë mbetur ca histori
që thuhen si legjenda.
Për gërmadhat e anijes fantastike
që u mbyt nga mbipesha e ëndrrave,
dhe ende bluhen në stomak të detit,
kockat.
Dhe për matanë botën
që shtangën
kur u shfaq në mënyrë poetike.
U mbeti peizazhi në grykë,
nga etja, u tha.
Kush mundi shpëtoi,
Kush mbeti, u dogj.

Fëmijët më të bukur që kisha parë,
vetëm qeshnin,
loznin dhe qeshnin,
fëmijët e ’70-ës
vulëhumburit
që s’di a janë gjallë.

ObserverKult

————–

Lexo edhe:

ARDITA JATRU: VETËM TY TË KAM