Ardita Jatru: Lufta mbaroi, krimet i fshehëm nën lëkurë

ardita jatru

Demokraci

Lufta mbaroi
Krimet tona i fshehëm nën lëkurë.
Dhe hapëm dyert.

Erdhi paqja
dhe ne shihnim ëndrra me të vrarë.
U përpoqëm të ishim të lumtur
Krijuam partitë
zgjodhëm dhe një kryetar
dhe shkruanim për lirinë
dhe fshinim buzët me gazetat.

Njëri tjetrin pyesim me zë të ulët:
A ta ktheu partia shtëpinë?
Burgun, ta dëmshpërbleu?
Ke ujë? Drita a ke?
Tek pazari Gabit blejmë vrerin tonë me lekë.
U bëmë një turmë memecë
pa shtëpi, pa jetë,
me parti.

Nën lëkurë
fshehëm bukur të vrarët tanë
dhe paaftësitë tona i bëmë slogane.
“na nuk do bahena”,
“na kurrë s’kemi qenë”.
Por kemi tamburet
dhe festojmë ikjet dhe ardhjet tona,
aty ku paqja s’erdh’ kurrë
varim gënjeshtrat.

O zot që na mbështolle me lëkurë
E nuk shohim dot të brendshmet tona
nga vetja si të zhvishemi tani,
kur as revolucionet
nuk bëjnë më punë?