Ardita Jatru: Nëna urrente numrin trembëdhjetë

ardita jatru


Nëna urrente numrin trembëdhjetë
dhe për fatin e saj të keq
më trembëdhjetë të prillit,
ora s’dihet,
linda unë.

Dhe isha një fëmijë i lumtur atëherë.
Festonim ardhjet tona
unë dhe vëllai i madh
në ditën e njëzet të prillit,
destinë e shenjtë
a fat i rrallë,
a plan perëndie, ku dihej,
të lindurit e të dyve në të njëjtën datë.
Atë ditë,
nëna bënte të vetmen ëmbëlsire që dinte
dhe e hanim të ngrohtë në pjatë.
“Zoti ju bekoftë”
dhe shuante me një frymë,
fjollën e flakës që digjej në furnelë.

Gjersa një pasdite, e ngrysur
para syve të mi u gris harta e yjësisë.
Isha gjashtëmbëdhjetë.
Në çertifikatën e lindjes që nëna kish harruar
nga nxitimi, mbi bufe
nën emrin tim,
qëndronte i paepur prej vitesh
numri trembëdhjetë.
Nuk qe destinë
ishte një kështjellë e stisur që u shemb.
E pyeta, “pse”
dhe mes dënesjes
e mbyste në grykë luhatja e një bestytnije
si një lëmsh që rritej bashkë me të
nga kohët e një gjindjeje të vdekur.
Nuk kuptoja asgjë. As ajo.
Kaq vjet, flakë të shuajtura me besim.
Duke qarë,
linda për së dyti.

Nëna urrente atë dreq numri trembëdhjetë
por nuk mundi t’i shmangej.