Arif Molliqi: Enciklopedi familjare

1. (Nëna ime heroi im)

ajo
na lindi shtatë fëmijëve
na rriti pa pas mjek në fshat
e as në qytet
kur e kishim kollën e keqe
apo fruthin
rrinte gjithë natën e zgjuar
duke na e fërkuar ballin
babai s´kishte kohë ti ndihmonte
ishte me kaçaket e malit

për festat fetare-
(se ato kombëtare ishin të ndaluara)
nëna rrinte gjithë natën zgjuar
duke na i pastruar rrobat e arnuara
çorapët e grisura prej leshi
na i rrotonte
as kur lodhej nuk na nemte
nuk na rrihte as kur bënim sherr
qortimi i saj vinte nga dashnia
kurrë nuk është ngopur me bukë
se hisen e vet na e jepte ne
mollën që e ruante në arkën e nusërisë
e ndante në shtatë pjesë
në fytyrën e saj magjike
herë-herë i fluturonte gëzimi
kur na numëronte të shtatë fëmijëve
nëna ime-heroina ime.

2. (kur shkoja të dajat)

për ato ditët pa datë
të karakolli n´Qeste të Lloqanit
vreshtat s´piqeshin kurrë
as misri
thonë u binte bryma e urisë

sa herë shkonim të dajat më nënën
andej nga Qesta
na ndalnin një tog ushtarësh
na e kërkonin lejen e kalimit
për të hyrë në “Zonën kufitare”

ata ishin të frikësuar
nga qëndrimi i nënës sime
që kishte dy fëmijë për dore
të tretin e mbante në shpinë

kur e lexonin mbiemrin e nënës
u kujtohej se është motra e Zhujë Selmonit
atij nacionalistit
ushtari tjetër ulërinte më automatik në dorë

nëse s´iu zëni besë letrave tuaja
unë fëmijëve të mi u zë besë
kot na vononi
ju pa të nesërmen keni mbetur
u thoshte nëna ushtarëve
që frikësoheshin nga nëna …

3. (kur e varrosëm babën)

kur e varrosëm babën
ka qenë pranverë më shi
zogjtë këndonin himn funerali

thonë kur shiu ta lag meitin
parajsën e ke më afër

me kujtohet ajo ditë
kur nëna ime na mblodhi afër vetes
të shtatë fëmijëve
sikur dëshironte të na numëronte
a ishim të gjithë
mos na kishte marrë baba n´arë

atë ditë mbeta jetim
edhe pse e kisha nënën
katër vëllezër
dy motra

nga ajo ditë më shi
babai im na mungon
nga numërimi i parë
na mungojnë edhe tre tjerë…
më mungon edhe Nëna

tani edhe shtëpia ka mbetur jetime
tmerr ta shohësh
nga vetmia të merren mendtë.

08.07.2020

LEXO EDHE: Arif Molliqi: Përrallë e verdhë