Arif Molliqi: Im atë të shtunave me blinte këpuca llastiku

Të premten kur u ktheva në shtëpi
dyqind metra para se të hyj brenda
filloi të bjerë shi nëpër një rrugë të pashtruar
u ndjeva ligsht edhe pse kthimi është i gëzuar
brenda kornizës se shtëpisë një ngjyrë e errët
përtej një sfondi kulla, muret, dyert, pemët
zogjtë kishin shpërndarë disa njolla gjaku
figurën time të harruar e gjej në dhomë mbi shtrat
aty është im atë dritë shpirt pastë,
që kishte vdekur atë sene që ra “Lia e madhe”,
por ai nuk vdiq nga ajo sëmundje e mistershme
as nuk e kishte marrë vesh ç´ishte ajo dergjë
ka qenë pranvera si tash, data është në mermer
shënimet tjera mbahen në regjistrat e ofiqarit
po unë e di që jam ende gjallë
e mbaj mend mirë sepse sado që isha axhami
e kisha për zemër një grua që e takoja rrallë
nganjëherë veç n´këmishë të bardhë
e nganjëherë të zhveshur lakuriq
tashmë e kujtoj vetëm në ëndërr atë që ju dyshoni
e kur zgjohem nga gjumi hëna ka ngjyrë tjetër
kam një ndjenjë të pështirë e të gërditshme.
E tash bash tash ëndrra ma kujton edhe kohën
kur e nxorën im atë prej shtëpisë me tabut
e kishin mbuluar me një çarçaf të bardhë
s´kam si ta kujtoj ndryshe vdekjen e tij.
veç kur e lanë në një qoshe të oborrit lakuriq
e nga uji i dukeshin gjymtyrët e trupit
ishte aq i qetë sa nuk lëvizte as nga uji i nxehtë
e kur im atë e nxorën prej shtëpie
s´di nga erdhi e kush e nisi më i pari
por të gjithë bënin kuvendime n´pikë të diellit
gjëmë e madhe ishte e vërteta, e vërteta ishte vdekje
kur gruaja më këmishë të bardhë më tha:
mos u mërzit n´atë dynja do ta takosh yt atë
n´këtë botë ke mbetur jetim
por jeta vazhdon të jetë rrugë e mundimshme
derisa pi gji nga koha ime prej gruaje
Kur me vdiq im atë ditët dhe netët qenë njësoi
përveç të shtunave që tashmë s´kthehej më nga pazari
si dikur
mbi një kalë pullali me trokëllimat e shiut
që binte mbi gjethet e pemëve në atë stinë

ObserverKult