Aristomenis Provelengjios: Vdekja e poetit

Nga: Aristomenis Provelengjios

U shtri atje buzë detit t’adhuruar
dhe la frymën e fundit po atje.
Pranë, lirë e tij. Një valë lodron malluar,
yjet shkëlqejnë në qiellin pa re.

Dhe vijnë nga thellësi e dallgëzuar,
dhe e qarkojnë të detit shtojzovalle,
prehrin e tyre i ofrojnë për ta qetuar
vasha të lindura nga shkuma gjëmëmadhe.

Nuk e vajtojnë e nuk e qajnë me ligje,
veçse një këngë të ngrohtë e plot magji
bardit të tyre i këndojnë me nostalgji,
një melodi nga Oqean’ i thellë, pa brigje:

“- Ne jemi fryma jote, e detit shpresë
ëndërrat e tua, e jotja krijesë.
Ne jemi shpirti i harmonisë hyjnore
që nga e ëmbla lirë e jotja sapo doli
dhe thellësisë pa fund me këngë i foli
e nga shkëmbinjtë vërshon e ngjallet prore”.

Mbërrijnë Nerajda lart nga pyjet e nga malet,
si era, me kurorat bërë n’ ograjë,
aroma lulesh mbledhur n’ atë majë,
ku flutura veçse i ledhaton e s’ ndalet.

Me ligje nuk e qajnë, asnjë s’ vajton,
një uverturë që ngjan me erën tek rrënkon
si mërmërimë e ujit që ndën hije gurgullon
bardit të vdekur këto fjalë rrinë e i thonë:

“- Ne jemi fryma jote, e malit shpresë,
ëndërrat e tua, e jotja krijesë.
Ne jemi shpirti i harmonisë hyjnore
që nga e ëmbla lirë e jotja sapo doli
e në lugina u derdh, ndër pyje foli
burimet, pemët ngjall e vërshon prore”.

Vegime ëndrrash, lart nga yjet e praruar,
kurora drite plot shkëlqim që mbajnë në duar
thurrur me rreze Galaktikash të paanë,
vijnë tek Poeti e i ulen pranë.

Me ligje nuk e qajnë, asnjë s’ vajton,
pafundësia rrezendritur shekullore,
me hymne serafimesh ëngjëllore
bardit të vdekur këto fjalë rrinë e i thonë:

“- Ne jemi fryma jote, e qiellit shpresë
ëndërrat e tua, e jotja krijesë.
Ne jemi shpirti i harmonisë hyjnore
që nga e ëmbla lirë e jotja sapo doli
ndër yllësi, konstelacione, veçse foli
si një ekstazë, si himn e lutje prore”.

Shqipëroi: Arqile Garo