Poezi nga artistja Fatime Sefaj Lajçi kushtuar bijës së ndjerë: Ninullë

Fatime Sefaj Lajçi: Ninullë

Me zërin e lidhur n’grykë,
Me erën kur furishëm flatrat m’i prenë,
Dilemën ma copton,
Pikëllimi thinjet bukur,
Tmerr’sisht bukur.
Moj bijë!

Si ta zë prap buzëqeshjen tënde,
Gur i ftohtë skalitur,
Gur i ftohtë i ndarjes,
Si fundit ditë dhjetori…
Me shoqet tua të kthyera kujtesë,
Me shoqet fqinje kthyer në gur,
Kthyer në lule,
Motake qumësht si bora e bjeshkës,
Që nuk e shkrin as dielli i korrikut!

Fli moj bijë,
Mami të këndon ninulla çdo natë,
Lutet për gjumë të lehtë,
Nuk ka rëndësi flen pak a shumë,
Ti gjithmonë ke buzëqeshë në gjumë,
Prandaj mami të përkundë prajshëm,
Pa pikë loti,
Vaj, jo se jo…
Disi më pate mësuar të mos qajë për mungesat…
Ti më rrite moj bijë,
Më bëre të fortë si bora e pashkrirë…

Fli moj bijë,
Mami nuk të rëndon.
Veç pak kuvend nëse me lejon,
A një urim
Për shoqet e tua,
Për dashurinë e paskaj
Më të gjatë se një jetë!

Drelaj, 29 dhjetor 2019

ObserverKult

_______________________

Lexo edhe :

ÇUN LAJÇI PËR VAJZËN E NDJERË: VITET IKIN BUBË…