Poezi nga Arjola Zadrima
Jam tuj u mundue,
me ti rrëfy perëndimet e kuqlueme,
nuk di çka më ndodhë.
Diçka pulson,
diçka ndjehet e nuk asht vonë.
Bota më sheh,
njerëzit janë mësu me besu se gjithçka përreth,
kuptohet.
Por nuk e di,
asgja nuk hesht kur asht dashni,
as qielli, as retë,
as muzgu i kuqërremtë. As ti.
As ti që ndrin si dielli i kësaj vere
të safillueme,
e çon peshë një zemër ngujueme hejsh.
Janë shkri krejt akujt e vetmisë seme
të urdhnueme,
e tash nuk di,
sa kohë më duhet,
nuk di si merret dielli
e mbështillet në gji.
Tash vë duert në gjoks,
si, mundem me ta rrëfy
hovin e pandalshëm të kësaj ,
dashnuni.
Ma thuej ti!
ObserverKult
Lexo edhe:
ARJOLA ZADRIMA: KANË FRIKË NGA GRATË E FORTA…
Mu kujtu im shoq, sonte.
Po kthehesha pak ma parë , në kamë. Ma shumë tuj shiju ecjen, freskinë e mramjes, rrugicën e boshatisun. Gjendesha e zhytun në habitatin tem.
Mbas do minutash ndjeva hapa mbas vetes. Ajo ndjesia e sikletit sikur shtohej, por mu kujtu Franci. Kishte net kur kthenim vonë , dhe po kështu ndodhej ndokush mbas nesh. Unë kisha frikë aso kohe, ndërsa ai mundohej me m’qetësu.
-Mos e kthe kryt, thoshte, asht thjesht një njeri si ne por mundet me u transformu në diçka tjetër kur e kupton që ke frikë.
Eca e qetë, drejt dhe me të njëjtin hap. Ai disi u afru dhe kur më parakaloi pak , ktheu kryet. Më pa më habi, por mori mbrapsht një shikim mospërfillës. Isha edhe lodhun.
Iku.
Im bir më telefonoi, e ndjeja që më qortonte, po kthehesh vetëm, nëpër rrugica, po pse s’më the…
-Mamë moj gru, po të ndodhë ndonjë gja…
Qeshja me të. E mbylli dikur telefonin.
Ndjeva sërisht hapa mbas meje. Gjithsesi në mend më sillej një pyetje, pse a ka gja që nuk më ka ndodhë në këtë jetë?
Eca drejt shtëpisë ashtu kryenaltë por hijerandë.
-Mos e kthe kryet Jolë, zakonisht njerëzit kanë frikë nga gratë e forta!
ObserverKult
Lexo edhe: