Arjola Zadrima: Dhimbën ma të madhe e kam ndje atë natë…

arjola zadrima


Poezi nga Arjola Zadrima

Dhimbën ma të madhe
e kam ndje atë natë të vonë,
jam mundue me e përshkrue,
nuk ja kam dalë.
Jam mundue në grusht me
me e mbledhë,
asht ujëzu,
e për plasa gishtash
më ka rrëshqitë.
Ka pasë net që nji qoshkut
i kam rrëfye se gratë qajnë,
muri përballë nuk më ka besu.
Askush nuk e ka dijtë
si ishte mungesa jeme,
apo sa andrra kishim thurë
e u shthurën për nji natë.
Veç dhimbjen s’kam mujtë me e shue,
anipse e kam britë e buçitë
sa gjithçka asht lëkundë
bashkë me shpirtin tem.

Tash hesht,
ai kornizohet ndër foto
të një jete tjetër,
e shoh e krejt bota
asht një ritëm i vjetër
në vallëzim.

ObserverKult

Lexo edhe:

ARJOLA ZADRIMA: KANË FRIKË NGA GRATË E FORTA…

Mu kujtu im shoq, sonte.
Po kthehesha pak ma parë , në kamë. Ma shumë tuj shiju ecjen, freskinë e mramjes, rrugicën e boshatisun. Gjendesha e zhytun në habitatin tem.
Mbas do minutash ndjeva hapa mbas vetes. Ajo ndjesia e sikletit sikur shtohej, por mu kujtu Franci. Kishte net kur kthenim vonë , dhe po kështu ndodhej ndokush mbas nesh. Unë kisha frikë aso kohe, ndërsa ai mundohej me m’qetësu.

-Mos e kthe kryt, thoshte, asht thjesht një njeri si ne por mundet me u transformu në diçka tjetër kur e kupton që ke frikë.
Eca e qetë, drejt dhe me të njëjtin hap. Ai disi u afru dhe kur më parakaloi pak , ktheu kryet. Më pa më habi, por mori mbrapsht një shikim mospërfillës. Isha edhe lodhun.
Iku.
Im bir më telefonoi, e ndjeja që më qortonte, po kthehesh vetëm, nëpër rrugica, po pse s’më the…

-Mamë moj gru, po të ndodhë ndonjë gja…
Qeshja me të. E mbylli dikur telefonin.
Ndjeva sërisht hapa mbas meje. Gjithsesi në mend më sillej një pyetje, pse a ka gja që nuk më ka ndodhë në këtë jetë?
Eca drejt shtëpisë ashtu kryenaltë por hijerandë.

-Mos e kthe kryet Jolë, zakonisht njerëzit kanë frikë nga gratë e forta!