S’kërkoj kurgja, veç me u plakë me ty,
si breshka të vjetra,
që shkojnë tuj njoftë rrudhat njena- tjetrës,
e struken në gropën e gjoksit.
S’të premtoj veç gaz, ndonji rrebesh,
a stuhi,
shi të brishtë tue piklue prej strehëve,
jetën.
Mundena me u humbë, ndër libra,
ndonji sy gjumë,
ndukje,
puthje,
grindje,
e në fund të ditës, nji velenxe krahëve.
Mandej kam me dashtë me të falenderue,
për çka më ishe,
për andrrën që më jetove si frymë pa frymë,
n’heshtje,
n’mungesë ,
deri në koca t’blueme.
Dhe para syve tuej të fjetun,
kam me t’pëshpërite,
“A e njeh këtë kohë të krrusun që mbush kupat e ditëve,
hajde ta pimë me fund,
tash po të rrefehem, e vetmja jetë më ishe”.