reklamë

Arlind Farizi: Ajo nuk dinte më ç’emër t’i vinte asaj që kishte ndodhur…

Po mbusheshin dy javë që ura midis tyre kishte vdekur. Asnjë ferman nuk kishte shpallur shembjen e saj. Nuk kishte pasur zhurmë, as gurë që binin në ujë, as dëshmitarë, as të flijuar mitik. Thjesht, një mëngjes, fjalët nuk kaluan më në anën tjetër të telefonit. Që prej asaj dite, midis tyre rrinte një heshtje e madhe, gati shtetërore, me protokol të ftohtë diplomatik rus.

Ajo nuk dinte më ç’emër t’i vinte asaj që kishte ndodhur. Dashuri ishte fjalë tepër e ndritshme për disa sy vezullues. Urrejtje – tepër e lehtë për ta përkthyer si të kundërtën e gjësë së shenjtë. Midis tyre kishte mbetur diçka më e vjetër dhe më e rëndë: një përzierje ndjenjash e moshash, mirësjelljeje të plagosur ndër brinjë nga të cilat Zoti e krijoi gruan, kujdesi i fshehur pa mos hetuar se udha kur shkelte ishte minuar keq – ia pat shtruar me lule vjollce, krenarie dhe malli që të dy e mbanin si faj, fat e ligj të keq të domosdosë njerëzore.

Telefonin e mbante në dorë. Ekrani i zi i ngjante një dritareje të mbyllur në një shtëpi ku dikur kishte banuar dikush. Herë pas here ndizte ekranin pa arsye. Asgjë. Pastaj përsëri errësirë. Ndoshta priste emrin e tij ti shfaqet me emrin e profesionit më të shenjtë në botë. Ndoshta vetëm një shenjë se ai ekzistonte ende në anën tjetër të asaj ure teknologjike. Gjithë ndjenjën e kishte burgosur në një fjalë të shkurtër, t’du, në gegnisht…

E shkroi. Fjala qëndroi disa sekonda mbi ekran, e vetmuar, si një njeri përpara kufirit të një shteti me mure të larta keqkuptimi. Gishti i saj iu afrua shenjës së dërgimit. U ndal. E fshiu. Në atë çast iu duk sikur nuk kishte fshirë një fjalë, por kishte ekzekutuar lajmëtarin e fundit që mund të kalonte midis tyre. Dhoma u bë më e ftohtë. Telefoni u errësua përsëri. Dhe diku, në një vend që ajo nuk mund ta shihte, sepse ishin dy javë larg, ndoshta edhe ai mbante telefonin në dorë. E lexontë shumëfish fjalën bezdi. Ndoshta kishte shkruar diçka. Ndoshta e kishte fshirë. Kështu, në të dy anët e urës së vdekur teknologjike, dy njerëz prisnin të njëjtën gjë: që tjetri të ishte më i dobët.

ObserverKult


Lexo edhe:

Arlind Farizi: Kishte frikë nga vetja e saj e ardhshme…