reklamë

Arlind Farizi: Kishte frikë nga vetja e saj e ardhshme…

Nga Arlind Farizi

Në një vegëz të hollë drite, si filli që lidh dy brigje të largëta mbi një humnerë, ai ia kishte dërguar këngën “Total Eclipse of the Heart”. Nuk i tha vetëm ta dëgjonte. I tha ta linte të zbriste ngadalë në gjakun e saj, si shiu që depërton në tokën e etur dhe zgjon farat e fjetura prej kohësh.

Ajo ishte e papërvojë, një kopsht që ende nuk e kishte njohur stinën e vet. Një dritare e mbyllur që nuk e dinte ç’ngjyrë kishte qielli pas saj. Një violinë e varur në mur, që ende nuk e kishte prekur harku i duhur. Ai vinte nga vise të tjera të shpirtit. Kishte kaluar nëpër qytete kujtimesh, nëpër rrënoja përqafimesh, nëpër dimra vetmishë e pranvera zemrash me lule të ftohta të marsit. Fliste për dashurinë si alkimistët e dikurshëm për gurin filozofal; si për një sekret që nuk shkruhet në libra, por në lëkurën e natës.

Në një nga ato bisedat e pafundme, ku fjalët bëhen anije dhe heshtjet dete, ai i tha: – Mjafton një ditë pranë teje që të të shoh deri në fund të shpirtit. Ajo heshti. Ndoshta sepse askush nuk i kishte trokitur më parë në portat e brendshme, ato të butat, ato të mishtat. Ndoshta sepse ndjeu se po afrohej një erë e panjohur që mund t’i rrëzonte të gjitha perdet e qetësisë.

Pastaj, si një zog që del me druajtje nga pylli, shkroi: -Kam frikë se do të humbas në ty. Ai e lexoi fjalinë dhe iu duk sikur një yll ishte shkëputur nga qielli, si kometa e Halejt e një viti të mbapshtë. Po njerëzit nuk humbasin te tjetri. Humbasin vetëm maskat e tyre. Dhe ai e dinte se ajo nuk kishte frikë nga ai. Kishte frikë nga vetja e saj e ardhshme; nga gruaja që po zgjohej ngadalë brenda vajzës që kishte qenë deri atëherë.

Mes tyre kënga vazhdonte të rrotullohej si një hënë e zezë. Një eklips i zemrës. Një çast kur drita nuk vdes, por fshihet pas hijes për t’u kthyer më e fortë. Dhe diku, në mbretërinë e padukshme të ndjenjave, dy vetmi po ecnin drejt njëra-tjetrës si dy lumenj që ende nuk e dinin se kishin të njëjtin det.

*Shkëputur nga libri “Malagata” i Arlind Farizit

ObserverKult


Lexo edhe:

Arlind Farizi: Zhurma e kuptimit