(Rekuiem për Francin)
I harruar nga vetja jam
i dashur vetëm prej djallit
unë linda plak
me fëmijëri që vdiq në lindje
Baba,
100 vjet vetmi kam,
vetmi plot njerëz,
se i Makondos jam
Gabon komshi e kam
Baba,
përpiqu të dëgjosh qetësinë e zezë të natës
dëgjoje këtë korb egërsisht të ndrojtur
unë të dua,
me indiferencën time më të madhe të dua
Baba,
dëgjoj organot e ndjenjave të mia
bien shpejt, si simfonia e Lamtumirës
Jam në Trans Patetik…
desha vetëm të shikoj si duken parajsat artificiale…
Më Fal Baba,
Ti më akuzon pse pi,
unë nuk pi,
jam një i dehur dashurie
me shishen e pikëllimit në dorë
nuk vdiska njeriu
pa i provuar shijen e likereve të ithtë mëkatit.
Baba,
mos ndjell keq,
orakull i së keqes mos e bëj
beso në mua,
si vetes,
se unë jam pasqyra ku ti sheh thellë jetën tënde.
besoj misionit tim
unë jam besimtar arti
kam pak prirje poeti,
ti, Ajo, askush
nuk ka për ta kuptuar Prognozën time për Muzgun
Bodler, ah Bodler!…
Baba,
unë jam dashnor i papërkulur
se e di sigurt se gjithë ata që Diellin deshën
e deshën dhe vetminë e tij, vetminë diellore.
Baba, pastërtia është e përlyer…
shpirti i femrës është i zi…
Baba,
ti s’e ke haberin sa vret fjala
ti s’e di çka mund të thyejë pakujdesia e fjalës
fjala sa një mallkim perëndie është.
Po, përderisa jam në çatinë tënde
jam nën pushtetin tënd
jashtë mureve të saj nis jeta për mua,
unë ëndërroj detin
këtë pamje të xhamtë
ku shoh shëmtinë time dhe gabimet,
shpresat, iluzionet, ku shoh veten…
Baba,
një shpirt vezufi kam
mos më ngacmo,
lërmë me dhimbjen time
se dhe unë s’kam faj
një vajzë më bën të vuaj,
një vajzë më bën të qaj…
Baba,
ti kurrë s’ke për të zbuluar fshehtësitë e mia
as buzëqeshjet e mia,
këto kristale të çiltëra.
unë i lutem vetëm asaj
vetëm ajo di çdo gjë për mua
vetëm ajo i di sekretet e mia…
Baba,
trego nëse të kam lënduar më indiferencën time
se kam qenë i ftohtë,
unë pres të më mëshirosh
të më përkëdhelësh me duart e njelmëta dëshire.
Baba,
ti sillesh me jetën si një Tiran
betejat me fjalë nuk fitohen
dhe mua mos më shih për armik
se luftoj me fjalë e letra të bardha…
Baba,
e vranët është fotografia jote
ka ngjyrë zhgënjimi,
ka ngjyrë lodhjeje,
I shoh rrathët e tymtë të dhimbjes
T’i nxin shpirtin me nikotinë
dhe mendon se unë kurrë s’do bëhem…
Baba,
dëgjoj këto thirrje kambane
janë kambana shpese,
thirrje për armëpushim.
jeta është më e mërzitshme
se një ligjëratë e mësuesve të mi.
“I lodhur nga fjalët jam”
s’dua të bërtitura
fjalët mikluese më mungojnë…
Baba,
më fal baba pse pi,
çdo ditë është e shpikur për dehje
mashtrim idiotësisht i bukur
infuzion me lëng ëndrre,
ikje nga vetja e djeshme…
Baba,
unë e di se do të ndryshoj
se do e gris këtë gabim
si këtë poezi të pakuptimtë
më fal Baba,
dua të dëgjoj klithmën e fundit
të poetit të mbramë…
Baba, gëzimet e jetës më kanë ngrirë
dimër bën në shpirtin tim
se u largua qenia më e sinqertë e vetë njeriu
Ajo, Baba, Ajo është fajtorja
Baba,
vështirë të jetosh pa gjysmën e vetes,
lehtë të vdesësh…
Baba,
gjithçka në mua po rrëzohet, pushtohet
si një Trojë e pambrojtur,
dhe tavani më sheh me nënçmim
më janë “thinjur fjalët”
më janë lodhur mendimet
dhe vdes përditë ngapak
se “jeta një ditë e humbur është”…
Vetëm dashuritë digjen në muzg
kur ne thinjemi
e dhimbjen e varrosim në poezi
që era do ta lexojë si një mbishkrim varri…
Baba,
A do të shërohet kjo gjendja mes nesh?
A do e mësojmë abetaren e dashurisë?
t’i do kthehesh i uritur në qetësinë tënde,
unë do kthehem i penduar për indiferencën time.
Baba,
Sa vetmitarë kemi qenë
Eja të hipim mbi urën e të sotmes
të shohim përtej, larg shumë larg…
T’i çelim derën mirëkuptimit
me çelësin e besimit.
Baba,
unë nënshtrimin s’e pranova
Ti mbete kolonel arrogant
por, se lëshove tët bir
që sado i keq që është, kushton sa një botë,
se vetëm mua ke si gjel ngushëllimi
e unë vetëm atë e kam BABË…
Unë në këtë poezi të pakuptimtë
s’e rrëfeva veten,
po Francin, Franc Kafkën,
a e njihni, Ai jam Unë…