Arlind Farizi: Më vjen të të puth aq befas…

Më vjen të të puth aq befas,
pa frikën se sytë bota te ne i ka,
pa frikën e ndjekjes, pa trishtimin e Malarmesë.
Më vjen të ta krijoj aty për aty Iliadën tonë,
e lyrës së ringjalljes t’i bien dashnorët e së nësermes.
Më vjen të të puth po aq befas,
ashtu të papërgatitur e të të tremb nga guximi,
o torzoja ime e dashur.
E di se kjo ndërmarrje imja mund të na kushtonte një prishje me dikë,
me përemrat tanë vetorë me të cilët u lidhëm unazshëm.
Më vjen të të puth symbyllazi sall për një çast,
për të përjetuar Homerin,
për ta ndjerë bashkë të zezën,
ngjyrën e vetme të cilën e shohin vetëm të verbërit.
Bashkë të dy ta rrëzojmë Trojën së fundit herë,
në të zezë, për të zezën…
Më vjen të të puth tek shkujdesshëm
më dëgjon tek flas për Aksidentin e Kaderesë,
kur të rrëfej për ata e për ne, për karrigen e pasme të veturës,
për ndeshjen, për puthjen e fundit.
Më vjen të të puth aty për aty për ta ndjerë atë çastpak e të përjetshëm.
Më vjen të të vjedh midis shoqesh,
të të dërgoj larg që t’i numërosh vendet,
mëkatet që i lamë rrugëve të qytetit me ajër të ndotur.
Të mëkatojmë së fundi,
të mbarojë me mëkat kjo gjëja jonë e paemër, e patrajtë, e paformë,