Nga Arlind Farizi
My friend, this is the end, anglishtja ime e dobët është, por të fortë e kam një ide, atë të ikjes, ikjes prej këtij vendi ku s’ka as ajër, as copëza gjelbërimi, ku lulëzon hatri i rremë, ku të konspiron secili për gjithçkanë e mundshme përfituese, ku kojshia ka rrushin më të pjekur se timin, ku ka krizë identiteti social e kulturor, ku më fukaraja ka i- phone e jeton me notifications, ku m’i pasur nuk është i kënaqur sepse ka gërklan të moth’, ku mungojnë liderët politikë, të cilët na shitën shtrenjtë.
Të ikim my friend, ikjet janë shpëtim. Nuk duhet kombi me barkun bosh, ku tehno bëjnë zorrët e shikimet ngriten ka qielli.
Të ikim my friend, çdo vonesë tjetër do na e rritë shumën e kredisë tri herë të refinansuar. Po rasemi në borxhe, për bukë, gjizë edhe i- phone. E shtrenjtë jeta e çallamshme, jeta e ndikuar nga jeta e tjetrit me veturën e shtrenjtë, e ndikuar nga jeta e lehtë e djalit t’babës.
Ne që s’jemi djemtë t’babës së njohur, na mungojnë shumë gjëra. Ditën e gdhijmë me mungesa të mëdha. Të ikim my friend, ky vend ka nevojë për ikës, gurbet social, politik, ekonomik. Më thua, sikur të ishim në Vjenë, apo në Paris, ato më shumë ta hanë fjalën, ato më shumë ta njohin poezinë. Ti je i marrë që shkruan. Të marrët t’i lexojnë shkrimet edhe t’i lajk-in. Kritika e letërsisë me lajka. O ç’katandisje e vlerës më sublime të botës.
O prishje shijesh estetike. Po transformohemi në qenie tjera, vetja ka ikur nga ne, është strukur në traditë që do e lexojnë turistët.
Kjo kopje e postmodernes për ne është si ajo këmisha tre numra më e madhe, e duam,e pëlqejmë por s’na bën taman. As jeanset s’po na vijnë taman. Transformuar në majmunë që imitojnë tjetrin, kulturën e tjetrit, majmunshëm në çdo gjest, në çdo sjellje, në çdo veprim. Së bën dot Amsterdamin mes qytetit më të ndotur në botë. Ech! My friend, a nuk e shikon se vlerat bëhen mediokritetet, shund, ku falcoja shitet si origjinal. Krizë my friend, kam propozim për emrin e shtetit, të quhet Tomorroëland, sepse nesër do integrohemi, nesër do shkojmë në Nato dhe Be, nesër do bëjmë zina, nesër do vjedh bankën, nesër do hamë bukë e mish deri në plasje, nesër do pimë e bëhemi dru në
Shend e verë, nesër do e përfolim atë kurvën më të bukur në qytet, nesër do e paguaj rrymën, nesër do ta kthej borxhin, nesër do vishem bukur, nesër do i dërgoj fëmijët në kopshtin zoologjik, nesër do e puth nënën sepse harruar kam përqafimin me të, nesër do e qeras babën një kafe Julius Mein, nesër do bëjmë gjithçkanë e paramenduar, nesër do e realizojmë atë ëndrrën e varur në degë gati të thyeshme të fatit tonë, nesër do i bëjmë detyrat ndaj kombit, e nesërmja s’bën ti ngjajë të djeshmes, kjo ditë s’duhet fotokopjuar, e nesërmja, ah kjo dhuratë që na bëri të shpresojmë, por do shpresojmë sall për një ditë, ditë të vetme, atë të nesërmen, kur dielli alegorik i Migjenit do na ngrohë ndrajshe’.
My friend, lodhur jam nga stili i jetës “bëjmë sikur”, lodhur jam nga improvizimet, nga shtirjet nga maskat me lëkurë fytyreje, nga konspiracionet, nga pikadot e fjalëve, nga sms kërcënuese, nga fajet e tipit pse havaja është e kaltër, nga pengesat e qëllimshme.
Po bëhem alteti i mbijetesës, tejkaluesi i çdo pengese, po ecim kujdesshëm rrugës së minuar nga tjetri, por bëhem një Mesi, ta grisin maicën por duhet dhënë gol më çdo kusht.
My, friend, unë të propozoj ikje, gati kam kuferin e kujtimeve, stacionet na presin. Mbase kur do kthehemi, ajri do jetë pastruar, ujë do kemi më bollëk, letërsia do shkëlqejë, poezia do lexohet me i- pad, njerëzit do jenë më pak politik më shumë familjar. Të ikim my friend! Ani çka se doktoruam ?!
ObserverKult
———————-
Lexo edhe: