Armenida Qyqja: Lëshoje veten, i dashur…

Braktise, i dashur, këtë ishull vetmie,
Mos u beso fjalëve të dallgëve
Që peng pas bregut duan të mbajnë,
Mbi një lundër besimi hidhu dhe nisu!
Toka e madhe nuk eshtë larg…

Me krahë pulëbardhash t’i nisa shpresat,
Dhe sytë e mi, farit ia dhash,
Dritë të bëjnë mes dallgës së lotit,
Territ që larg meje të mban…

Braktise këtë ishull të rremë,
Që jetën mbyt pa zë e pa fjalë,
Në oqeanin e ndjenjës, lëshoje veten,
Robinsoni im,
Toka e madhe nuk është larg…