Armenida Qyqja: Thuamë që nuk jam një ëndërr vere

Thuamë që nuk jam një ëndërr vere,
Thuamë që vjeshta nga sytë e tu,
Kurrë s’do më shkundë,
Thuamë që me ty do të jem
Dhe kur sofrën të na lenë zbrazur,
Me kujtimet, më thuaj, do të rrojmë!

Thuamë që me ty do jem,
Dhe nën jorganin e dëborës
Edhe kur udhët, shtigjet,
Brenda zemrës të kenë ngrirë,
Thuamë që gjithmonë do zgjasësh dorën,
Dorën time të gjesh,
Dhe nëse nga të ftohtët është nxirë…

Thuamë që nuk jam një flutur, ëndërr vere,
Thuamë që me ty do jem unë, në çdo stinë,
Në shpirtin tënd dua të më mbash,
Aty të fle, gjer në fundin tim, pa zgjim…