Art dhe letërsi në rrugët e Durrësit, vizat e bardha shndërrohen në vargje poezish (Foto)

Nëse më përpara letërsia dhe arti shkonte te lexuesi nëpërmjet librave apo shfaqjeve kulturore, tanimë ai është i “mishëruar” në rrugë.

Poezitë e autorëve më të shquar tani mund t’i lexojmë në vizat e bardha të rrugëve kryesore të Durrësit, pasi ato janë shndërruar në “fletë” librash.

Strofat e poezisë “Në parkun që mbuluan fletët”, e shkrimtarit Ismail Kadare apo një citat nga romani i Rexhep Qosjes “Të fshehtat e treguara”, tërheqin vëmendjen jo vetëm të qytetarëve por edhe të turistëve.

Ky dizajn urban që është një risi, që i sjell në kujtesë njerëzve librin. Ka qenë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ajo që ka publikuar disa foto të vizave të bardha në Durrës sipër të cilave janë shkruar poezi.

“Disa vargje nga poezi të kolosëve të letërsisë shqipe të shkruara në vijat e bardha të rrugëve kryesore të Durrësit janë jo vetëm imazh estetik arti, por dhe një mënyrë e re komunikimi që jep një mesazh të caktuar sidomos për të rinjtë. Ky dizajn urban që kemi realizuar dhe që është një risi, i sjell në kujtesë njerëzve librin, e po kështu ky art urban është një mjet që miqëson më shumë qytetarët dhe pushuesit e shumtë me qytetin”, shkruan Sako.

LEXO EDHE: Durrës, mbahet Bienalja “Netët e Muzikës Klasike” deri më 10 gusht