Durrës, mbahet Bienalja “Netët e Muzikës Klasike” deri më 10 gusht

Në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës po zhvillohet gjatë këtyre ditëve bienalja “Netët e Muzikës Klasike” me titullin “Në kopshtet sekrete të muzikës dhe pikturës”.

Ky event tradicional organizohet nga violinisti me famë ndërkombëtare Florian Vlashi.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, e cila ka ftuar të gjithë artdashësit të ndjekin këtë event që vijon deri më 10 gusht, ka theksuar se, “vepra e jashtëzakonshme dhe enigmatike “El jardin de las delicias“ 1505 e Hieronymus Bosch (El Bosco) është origjina e titullit të Edicionit X”.

Gjatë netëve të Bienales, në harmoni mes muzikës dhe projeksioneve të pikturave, tingujt e Kukuzelit, Bach, Pergolesi, Beethoven, Granados, Strauss, Schoenberg etj., do të shkrihen me kryeveprat botërore të El Bosco, Onufri, Caravaggio, Goya, Dalí, Klimt”./ATSH

LEXO EDHE: Bienalja e Filmit të Venecias sërish nën masat ndaj COVID-19