Artan Fuga: A mjafton gjuha e përbashkët?

Nga: Artan Fuga

Në përfytyrimin tim ka vend të interpretohet sikundër duhet teza e Sami Frashërit se gjuha është shenja më e parë e dallimit të kombeve.

Sikurse ka argumentuar strukturalizmi i Michel Foucault, materialiteti, pra gjuha si element material, përbën vetëm përmbajtjen e kësaj shprehjeje logjike. Por materialiteti nuk mjafton për ekzistencën e saj.

Që kjo shprehje të formulohej duhej që ajo të merrte formën e një gjykimi, të komunikohet, të pranohet nga të tjerët, si edhe të krijohet ndërgjegjja refleksive mbi të.

Kur themi se gjuha është shenja më e parë dalluese e kombeve kjo nuk do të thotë, në kuptimin tim, se vetëm materialiteti i gjuhës përcakton identitetin shpirtëror të atyre që e flasin atë.

Sepse vetë kjo shprehje: “Gjuha është shenja e parë dalluese e kombeve!” përmban veç

  • materialitetit lëndor, sikurse do ta shkruante Foucault,
  • edhe artikulimin e vet logjik dhe gjuhësor (enonciabilitetin),
  • fuqinë për t’u komunikuar kuptueshëm te të tjerët (komunikabilitetin),
  • pranueshmërinë e saj prej të gjithë anëtarëve të kombit (acceptabilitetin),
  • marrjen e ndërgjegjes të brendshme për kuptimin e saj (autorefleksivitetin).

Pra, shprehja se “gjuha është shenja më e parë dalluese e kombeve”, që të jetë gjithë-bashkuese duhet të pranohet në parim nga individët e bashkësisë që e njohin veten në të. Në këtë mënyrë është vullneti për të pranuar të njëjtat vlera përbashkuese që bëhet identiteti shtet-formues dhe kombëtar i një njësie demografike të caktuar.

Gjuha e përbashkët nuk është medoemos element dallues i çdo kombi. Varet se çfarë kuptohet me komb. Ka kombe që e konsiderojnë veten të tillë jo nga tiparet sociolinguistike të përbashkëta, por nga aktet e përbashkëta politike, pra te fakti se kanë shtet të përbashkët.

Nuk ka përse automatikisht nëpërmjet një interpretimi të ngurtë të pranojmë të përdoret teza e Sami Frashërit në mbështetje të një stalinizmi që konsideron se gjuha është një nga elementët e domosdoshëm dallues të identitetit kombëtar.

Kombet mund të barazojnë identitetin e tyre në radhë të parë nga fakti se kanë vullnetin për të ndarë të njëjtat vlera themelore të përbashkëta, ose sikundër shkruante Maks Weber, një nga themeluesit e sociologjisë moderne, vullnetin për të jetuar sëbashku në të njëjtin shtet.

Vetëm gjuha e përbashkët, pa vullnetin për të jetuar së bashku, nuk mjafton për t’i mbajtur së bashku anëtarët e të njëjtit komb. Nëse kombi nuk e ka vullnetin për të jetuar së bashku, gjuha nuk e pengon dot shpërbërjen e tij, emigracionin e fortë, ndarjen në shtete të veçanta, etj.


Lexo edhe:

ARTAN FUGA: JAM KUNDËR TË PËRJASHTOHET PASURIA E GEGNISHTES!

ObserverKult